U shkarkua me bujë, çfarë do të ndodhë tani me Jose Mourinho?
Shkarkimi i Jose Mourinho-s, edhe pse i pritshëm, bëri shumë zhurmë në Itali, fundja bëhet fjalë për një nga trajnerët më të mirë në qarkullim. Që nga dita kur u largua mes lotësh nga Roma për Jose Mourinho-n dhe të ardhmen e tij do të dëgjojmë shumë, “Speciali” do të jetë si një hije për çdo trajner që drejton një klub të madh. Çfarë pritet të ndodhë tani me Jose Mourinho-n?
Sigurisht disa ditë pushim janë të pashmangshme, por Mou nuk është nga ato trajner që i pëlqen të qëndrojë gjatë pa aksion. Një emër kaq i madh duket i destinuar për Premier League, i shkon shumë si kampionat, por eksperiencat e tij në ishull kanë përfunduar të gjitha me shkarkime të bujshme pavarësisht se kudo që ka shkuar ka fituar respektin e tifozëve. Për momentin, Newcastle duket opsioni më i mundshëm, një skuadër që ka buxhet, por që nuk po arrin të konkurrojë në nivele të larta.
Një opsion mund të jenë edhe dy ekipet e tjera Chelsea dhe Man.United, të dyja në krizë rezultatesh, por drejtuesit e rinj të këtyre klubeve e kanë pak të vështirë të ndryshojë trajner tani. Emri i tij qarkullon edhe në Spanjë, por dy klubet “big”, Reali dhe Barça i kanë trajnerët, më shumë se sa një pistë konkrete për të zëvendësuar Xavi-n, lajmet që qarkullojnë janë sensacione mediatike.
Pak kohë më parë emri i tij u lidh edhe me një kalim të mundshëm te Brazili, por 5 herë kampionët e botës sapo prezantuan trajnerin e ri, Dorival Junior. Vet Mourinho pak kohë më parë theksoi se herët apo vonë do të drejtoj në Arabinë Saudite, sheikët janë gati ta “veshin me ar” në çdo moment.
()