Tue, Oct 8, 2024

Privatizimi i ish-fabrikës së bukës/ Shtyhet seanca gjyqësore ndaj Arben Ahmetajt, ja kur pritet të mbahet

  • PublishedJanuary 18, 2024

Seanca gjyqësore ndaj ish-ministrit, Arben Ahmetaj, i cili akuzohet për veprën e shpërdorimit të detyrës për çështjen e privatizimit të ish fabrikës së bukës u shty më 2 shkurt.

Këtë të enjte ish-ministri u përfaqësua nga avokati i tij.

Më 7 dhjetor të vitit që lamë pas, SPAK mori zyrtarisht të pandehur Arben Ahmetaj për veprën penale shpërdorim detyre për çështjen e privatizimit të ish-fabrikës “Buka” që sipas SPAK i ka shkaktuar shtetit një dëm prej 7 miliardë lekësh.

Mësohet se Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar mbylli hetimet për ish-zv.kryeministrin Arben Ahmetaj ndërkohë që  vijojnë hetimet për biznesmenin Lirim Fezollari me të cilin dyshohet se Ahmetaj kishte lidhje më shumë se institucionale. Po ashtu nën hetim janë dhe 6 ish-punonjës të Ministrisë së Financave.

Ish-ministri i Financave deklaroi nga arratia se në procedurën e privatizimit të fabrikës së bukës në zonën e ‘5 Majit’ në Tiranë, ka mbrojtur interesat e shtetit dhe nuk e ka shkelur detyrën.

Ndaj Arben Ahmetaj ka dhe një çështje tjetër të hapur në SPAK që lidhet me inceneratorët për të cilën ai u shpall në kërkim në muajin korrik të këtij viti për disa akuza, më e rënda prej atyre ajo e pastrimit të parave.

Kujtojmë se Ahmetaj si ish-ministër i Financave dhe Ekonomisë u vendos nën hetim për dosjet e inceneratorëve, pas këqyrjeve në një kompjuter që i përket biznesmenit Klodian Zoto, i cili rezultoi se kishte paguar e prenotuar udhëtime luksoze për ish funksionarin, vlera e të cilave u llogarit nga SPAK në shumën e 34 mijë eurove.

SPAK i referohet një sërë dëshmish të biznesmenëve që tregojnë se vilat në Palasë dhe në Hamallaj janë të lidhura me Arben Ahmetajn ndërkohë që nga një telefon blackberry i sekuestruar janë përftuar mesazhe dhe komunikime edhe me persona të tjerë, zyrtarë ish-zyrtarë dhe biznesmenë.

Pak ditë më parë Ahmetaj humbi dhe mandatin e deputetit, pasi prej gati 6 muajsh nuk u paraqit në Kuvend, ndërsa vendin e tij e zuri Plarent Ndreca.


AlbaniaWeb.net