Fri, Nov 29, 2024

Kërkoi të merrte pjesë në seancat plenare si deputet, prokuroria rrëzon kërkesën e Berishës

  • PublishedJanuary 19, 2024

Prokuroria ka rrëzuar kërkesën e ish-kryeministrit Berisha për të marrë pjesë në seancat plenare si deputet.

Avokatët e ish-kryeministrit Sali Berisha më datë 15 janar i janë drejtuar me një kërkesë prokurorëve të SPAK, për ta lejuar të marrë pjesë në seancat plenare të Kuvendit, me argumentin se kjo është një e drejtë dhe detyrim kushtetues për të përmbushur detyrën si ligjvënës.

“Personi nën hetim Sali Berisha (i përfaqësuar nga mbrojtësit e tij Sokol Mëngjesi dhe Genci Gjokutaj) ka depozituar në datën 15.01.2024 një kërkesë me anën e së cilës kërkonte lejimin e tij për të marrë pjesë në seancat plenare të Kuvendit, në cilësinë e deputetit. Pasi janë njohur me përmbajtjen e kësaj kërkese, me vendimin e datës 18.01.2024 Prokurorët kanë vendosur mospranimin e saj”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Sokol Mëngjesi, njëri nga avokatët e deputetit Sali Berisha tha disa ditë më parë për Top Channel se për shkak të axhendës së mbrojtjes dhe se avokatët nuk e kanë të mundur ta shoqërojnë Berishën në prokurorinë e posaçme, i kanë kërkuar SPAK shtyrje. “Për këto arsye ne kemi kërkuar një datë tjetër dhe një orë tjetër përmes një shkrese”, shtoi për Top Channel, avokati Mëngjesi

Me kërkesën e dorëzuar në 15 janar Sali Berisha kërkoi nëpërmjet mbrojtjes të lërë arrestin shtëpiak e të shkojë në parlament. Kërkesë kjo që kujton lirinë politike të deputetit për të qenë në çdo seancë.

“Në kushtet kur z. Sali Berisha është deputet i Kuvendit të Shqipërisë i zgjedhur nga sovrani, është e domosdoshme që të ushtrojë funksionet e tij si Deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Për këtë arsye duke qenë se ju jeni organ procedues, kërkojmë nga ana juaj miratimin dhe dhënien e lejes që z. Berisha në mënyrën dhe kohën që është absolutisht e domosdoshme të shkojë, të marrë pjesë dhe të ushtrojë funksionet e tij në seancat plenare të Kuvendit të Shqipërisë, në përmbushje të të drejtave lirive politike të parashikuara nga Kushtetuta e vendit, por edhe të përmbushë detyrimet e veta kundrejt elektoratit që e ka zgjedhur” iu tha dy prokurorëve të dosjes Partizani.

Më tej Berisha nën arrest shtëpie prej 30 dhjetorit 2023 kërkoi që të përcaktoheshin edhe modalitet se si do të lëvizte nga banesa drejt sallës se seancave plenare si dhe kohën e nevojshme për të realizuar këtë lëvizje, vetëm që të merrte pjesë në sallën e seancave plenare ku zhvillon punimet Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, theksohej në dokument.


AlbaniaWeb.net