Sat, Nov 30, 2024

Kongresi miraton një buxhet të përkohshëm deri në fillim të marsit

  • PublishedJanuary 19, 2024

Të enjten Kongresi i dërgoi Presidentit Joe Biden një projektligj afatshkurtër shpenzimesh në përpjekje për të shmangur mbylljen e pjesshme të qeverisë dhe financimin e agjencive federale deri në mars.

Projektligji u miratua me 314 vota pro dhe 108 kundër. Shumica e votave kundër ishin nga republikanët më konservatorë. Pak para votimit, një grup konservator njoftoi se e kundërshton fuqishëm masën, sepse kërkonte shpenzime të tepërta.

Rreth gjysma e republikanëve bashkuan votat me demokratët në miratimin e projektligjit të tretë afatshkurtër që nga tetori. Më herët, Senati votoi bindshëm për projektligjin me një votë 77-18.

Projektligji zgjat deri në fillim të marsit shkallën aktuale të shpenzimeve qeveritare duke ofruar kohë që të dy dhomat e Kongresit të zgjidhin dallimet e tyre mbi shpenzimet për vitin fiskal që filloi tetorin e kaluar. Buxheti afatshkurtër për disa agjenci federale përfundon më 1 mars .

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre, tha se presidenti do ta nënshkruante masën në ligj ndërsa u bëri thirrje republikanëve që të mos humbasin kohë për çështjet e buxhetit.

“Përfundimisht, republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve duhet të bëjnë detyrën e tyre dhe të punojnë me palën tjetër për të miratuar buxhetin vjetor që sjell përfitime për popullin amerikan dhe trajton përparësitë urgjente të sigurisë së brendshme dhe kombëtare, duke miratuar kërkesën shtesë të presidentit”, tha zëdhënësja.

Kryetari republikan i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, është vënën nën trysni nga ligjvënës të vijës së ashpër për të hedhur poshtë marrëveshjen prej 1.66 trilion dollarësh të arritur me udhëheqësin e shumicës demokrate në Senat, Chuck Schumer, në fillim të muajit.

Ligjvënësi republikan Chip Roy, i cili përfaqëson Teksasin, tha se buxheti afatshkurtër e mbështet marrëveshjen e mësipërme dhe u kërkoi kolegëve që të votojnë kundër.

Zoti Johnson ka këmbëngulur se do ta respektojë marrëveshjen dhe ai gëzon mbështetjen e të moderuarve republikanë. Ata thonë se ndryshimi i kursit tani do të ishte kthim prapa në premtimin e dhënë dhe do ta dobësonte pozitën e kryetarit në negociatat e ardhshme.

Që kur morën shumicën në fillim të vitit 2023, republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve kanë zhvilluar një betejë të ashpër kundër atyre që i cilësojnë si politika të padobishme dhe nivele të larta të shpenzimeve qeveritare.

Në tetor, një grup republikanësh rrëzuan nga posti Kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve, ligjvënësin e djathtë Kevin McCarthy, pasi ai arriti një marrëveshje me demokratët për zgjatjen e shpenzimeve qeveritare për herë të parë.

Kryetari Johnson, i cili pasoi zotin McCarthy në detyrë, është gjendur gjithashtu nën kritika, pasi nuk ka mundur të gjejë një rrugë të mesme për të balancuar kërkesën buxhetore të Presidentit me arsyetimin e republikanëve.

Deri më tani, shumica e republikanëve të Dhomës së Përfaqësuesve janë përmbajtur të thonë se posti i zotit Johnson është në rrezik. Por një revoltë nga një numër i vogël republikanësh mund ta rrezikojë postin e tij në Dhomën e Përfaqësuesve, ku republikanët kanë një epërsi të vogël.

Miratimi i masës afatshkurtër vjen mes negociatave për një paketë të veçantë ndihmash për Ukrainën dhe Izraelin dhe miratimin e fondeve për të forcuar sigurinë e kufirit mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës.

Zoti Johnson është gjithashtu nën presion nga e djathta për të mos pranuar një marrëveshje që është më e dobët se një masë për kufirin e

miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve që nuk ka mbështetje nga demokratët.

Presidenti Biden ka kërkuar miratimin e një pakete prej 110 miliardë dollarësh ku përfshihen ndihmat për luftën dhe forcimi i sigurisë kufitare.