Ish-Presidenti Trump fiton zgjedhjet paraprake në Nju Hempshër
Disa analistë mendojnë se fitorja e ish-Presidentit Donald Trump dje në Nju Hempshër, konfirmon se ai e ka të sigurt mbështetjen e bazës së votuesve republikanë dhe se kundërshtarja e tij, Nikki Haley nuk mund të bënte diçka më ndryshe për të siguruar fitore. Zoti Trump fitoi me mbi 10 për qind më shumë ndaj ish-Ambasadores amerikane në OKB, Nikki Haley, në një shtet me një numër të madh votuesish të pavarur krahasuar me shtetet e tjera amerikane. Edhe pse humbi zonja Haley tha se do ta vazhdojë fushatën.
Votuesit në Nju Hampshër të martën e shtynë ish-Presidentin Donald Trump më pranë emërimit nga partia republikane për zgjedhjet presidenciale. Në fjalimin e fitores, ai dukej i sigurt se ky do të ishte dhe rezultati i nëntorit.
“Ne e kemi mundur Bidenin. Mendoj se me të drejtë kemi thënë se imigracioni është një çështje me rëndësi”, thotë zoti Trump.
Kjo është fitorja e dytë për zotin Trump, pas fitores bindëse në shtetin e Ajovës, javën e kaluar.
Votuesit e tij nuk u lëkundën në përkrahjen për të.
“Do e jepja jetën për atë njeri”, thotë Chris Compas, i cili ka votuar për zotin Trump në çdo zgjedhje.
Ish-Presidenti Trump fitoi me mbi 10 për qind më shumë ndaj ish-Ambasadores amerikane në OKB, Nikki Haley. Kjo e fundit bëri të ditur se nuk do të tërhiqej nga gara.
“Gara nuk ka mbaruar pasi ka një mori shtetesh që nuk e kanë kryer votimin”, tha kandidatja tjetër republikane për President, Nikki Haley.
Ish-Ambasadorja në OKB, Nikki Haley e ngushtoi epërsinë e zotit Trump falë votuesve të pavarur të shtetit, si Jessica Minasian.
“Ashtu si shumica prej nesh, ne po kërkojmë një mundësi tjetër, dikë që mund të bashkojë të gjithë amerikanët”.
Donald Trump Jr., djali i ish Presidentit tha se ata që i dhanë votën zonjës Haley nuk janë votues të pavarur.
“Ata nuk janë të pavarur. Ata janë demokratë”.
Karolina e Jugut, shteti ku zonja Haley ka qenë guvernatore është vendi i radhës ku do të mbahen zgjedhjet paraprake.
“Për Trumpin, Karolina e Jugut përfaqëson një mundësi për të treguar se ai mund të mposhtë kundërshtaren Nikki Haley në shtetin e saj”, thotë Profesori i Shkencave Politike te Universiteti “Saint Anselm”, Chris Galdieri.
Sipas Profesoreshës Marjorie Hershey, zonja Haley nuk mund të ofronte më shumë sa dha në Nju Hempshër.
“Mbështetja për Trumpin është unike në politikën amerikane. Baza republikane qëndron pas Donald Trumpit. Ai ka mbështetjen e tyre pavarësisht se çfarë bën dhe ai e di mirë këtë. Kjo bazë nuk është më shumë se ndoshta një e treta deri në 40% e votuesve republikanë. Kjo megjithatë është e mjaftueshme në garën për emërimin e partisë, sepse shumica e njerëzve nuk votojnë në zgjedhjet paraprake. Njerëzit që votojnë janë ata që janë përkrahës të zjarrtë, si tek demokratët ashtu dhe tek republikanët. Në rastin e republikanëve, këta janë mbështetësit e Trumpit. Pra, është e vështirë të imagjinohet se si Haley mund të kishte bërë diçka ndryshe”, thotë Profesorja Marjorie Hershey, nga Universiteti i Indianas
Zgjedhjet paraprake republikane në Karolinën e Jugut mbahen më 24 shkurt.