Shevchenko zgjidhet president i Federatës së Ukrainës, urimi i parë vjen nga Milan
Andriy Shevchenko është presidenti i ri i Federatës së Futbollit të Ukrainës. Ky ka qenë verdikti i zgjedhjeve që janë zhvilluar sot për këtë post. Ndër të parët që e përgëzoi ish-sulmuesin dhe ish-trajnerin e kombëtares së Ukrainës ishte Milani.
Klubi kuqezi, ku Sheva arriti majat e karrierës si futbollist, i dërgoi një mesazh urimi “Topit të Artë” 2004 përmes kanaleve zyrtare në rrjetet sociale: “Urime dhe punë të mbarë Andriy Shevchenko, president i ri i Federatës së Futbollit të Ukrainës. Suksese Sheva!”
Kujtojmë se legjenda e futbollit ukrainas ishte kandidati i vetëm për këtë detyrë. Sheva do ta drejtojë futbollin e vendit të tij në një nga momentet më të vështira për shkak të luftës me Rusinë.
Asnjë kandidat tjetër nuk kishte hedhur kandidaturën, ndaj kjo e bënte formalitet zgjedhjen e ish-sulmuesit të shquar në krye të futbollit ukrainas. Një personazh i njohur dhe i dashur në vendin e tij, teksa disa kohë më parë u emërua edhe këshilltar i pavarur i presidentit Volodimir Zelensky.
()