Fri, Sep 20, 2024

“Çokollatën e hëngra unë, po të dërgojë të puthurat e Anilës”/ Historitë në burgun e VIP-ave, Martin Leka tregon se si iu ngatërrua letra e dashurisë me Fatos Nanon

  • PublishedJanuary 29, 2024

Gazetari Martin Leka, i ftuar në “Galeri” në “E Diell”, ka rrëfyer momentet e vështira që ka kaluar gjatë vuajtjes së dënimit me burg, mes të cilave edhe ndërrimin 3 herë të qelisë, takimin me Fatos Nanon, por edhe ish-përfaqësues të Byrosë Politike si Nexhmie Hoxha, dhe Ramiz Alia.

Një moment që e ruan gjatë në kujtesë, është shkëmbimi i letrave me bashkëshorten Anilën. Leka rrëfen historinë se si letra që ajo kishte nisur brenda një çokollate përfundoi në ‘duart’ e Fatos Nanos.

“Letrën ma ka dërguar në burg teodor Keko. Së bashku me 7-8 veta kemi hipur në të njëjtën makinë nga resorant Durrësi deri aty. Historia e burgut është e lezetshme por edhe e jashtëzakonshme. Më kanë ndërruar tre herë qeli. Qelinë e parë, në dy ditët e para kam ndenjur me Llambi Gegë Priftin dhe Hajredin Çelikun. Pas dy ditësh, sa isha aty, i bie njëri derës. Edhe rrugaç edhe iku.

Ky ishte Fatos Nano, por unë nuk e kuptova. Isha te zona ku ishte byroja politike; Nexhmie Hoxha, Fatos Nano, seç punë kisha unë me ata se mora vesh, por dy ditë i bëra me ata. Pastaj bie dera sepse shkonim në tualet me radhë dhe në kthim rastisa me Ramiz Alinë. ‘Erdhe të ma bësh intervistën këtu’, më tha mua. ‘Po’ ia ktheva. Pak më përpara se të arrestohej Ramiz Alia unë isha aty për intervistë. Më tha që do të ta japë më vonë. Ma jep tani ja ktheva. Unë e ndjeja se diçka do të ndodhëte, por atij nuk i thoshja dot gjë.

Kjo qelia që sheh këtu ka qenë e tmerrshme. Shife çfarë lagështie që ka. Ishte ngjitur me banjën. Ma paralajmëroi Fatos Nano që në këtë qeli do të shkosh. Mesa duket e kishte provuar edhe Fatosi dhe ishte qeli e torturave sepse ishte ftohtë, kishte lagështirë të tmerrshme, kishte pleshta me miliona. Për çdokënd, sot është e pabesueshme. I shkruaja avokatit që t’ju kërkonte këtyre që të sillnin ilaç pleshtash, por nuk ma sillnin.

Kjo është letra e Anilës që përfundoi te qelia e Fatos Nanos. Unë kisha komunikim me Fatosin përmes letrave të policëve që herë pas here i hidhnin edhe te dera. Unë gjeja një polic të besuar dhe i thosha ‘do të ma dërgosh te qelia?’. Edhe ai e dërgonte. Pas disa ditësh më vjen një çokollatë nga Anila. Unë hëngra gjysmën, gjysmën ja dhash policit dhe te cepi lash letrën. Pra e ruajta si letër, vetëm pjesën e aluminit hodha. Ndërkohë, Fatosi, kishte edhe ai një çokollatë si puna e kësaj.

Anila kishte blerë çokollatën, e kishte hapur e kishte futur letrën, e ngjiti me vinovil prapë dhe çokollata ishte çokollatë. Në letër shkruhej “I dashur Martin, sapo mora letrat e tua. Kjo është dita e Shën Valentinit… Unë nuk e dija as se ishte Shën Valentini. Në fund ‘të puth me mall, Anila’. Ndërkohë pas tre ditësh i them Fatosit përmes avokatit ish mos ke një letër. Anila dhe bashkëshortja e fatosit, Rexhina, kishin blerë të dyja çokollatë të njëjtë. Aty ishte ngatërruar gjëja. Dhe Fatosi më dëgon përgjigje. E kishte kuptuar situatën, e bashkon, më kthen përgjigje: ‘Çokollatën e hëngra unë, të puthurat e Anilës po t’i dërgojë’”- tha Leka.


AlbaniaWeb.net