Juve “all-in” në “San Siro”, Allegri mbështet te Vlahovic, është ai njeriu i momentit
Nëse titulli është realisht një objektiv, atëherë sfida kundër Inter bëhet “jetë a vdekje” për Juven, një ndeshje që duhet fituar me çdo kusht. Sigurisht që Serie A nuk përfundon më 4 shkurt, por kjo është më shumë se sa sfida e radhës, vlen më shumë se sa tre pikë. Max Allegri dhe djemtë e tij janë të vetëdijshëm për këtë, shkojnë në “San Siro” për të fituar, për t’i marrë sërish Interit kreun, në pritje më pas që zikaltërit të rikuperojnë ndeshjen me Atalanta-n. Në këtë pikë të sezonit, Juve nuk ka asgjë për të humbur, prezenca e tyre në Champions duket e sigurt, për këtë arsye ndaj Inter luajnë “all-in”.
Allegri ka fatin të ketë në dispozicion Dusan Vlahovic në versionin e tij më të mirë. 6 gola në 4 ndeshjet e fundit tregojnë qartë se Vlahovic po kalon momentin më të mirë këtë sezon. Serbi është e vetmja qartësi në lidhje me fazën sulmuese, vetëm ai e ka vendin të sigurt nga minuta e parë.
Kean është nisur për në Madrid për të mbyllur marrëveshjen me Atletico-n, ndërsa nuk është e qartë nëse Chiesa është në kushte ideale për të nisur këtë sfidë nga minuta e parë, për momentin duket e vështirë. Ndaj Inter rikthehet edhe Rabiot një element thelbësor për Allegrin, pavarësisht se nuk është në kushte perfekte, francezi pritet ta nis nga minuta e parë. Do të rikthehet titullar edhe kapiteni Danilo.
()