Thu, Nov 28, 2024

“Mësuesi, forcë e pazëvendësueshme e dijes”/ Rama: Jemi në një luftë të egër për kapitalin njerëzor, të rrisim mbështetjen për shkollën

  • PublishedJanuary 30, 2024

Kryeministri Edi Rama ka folur për Programin Kombëtar të Zhvillimit Profesional të Mësuesve.

“Nisma vë qendër të vëmendjes mësuesin si forcën e pazëvendësueshme të dijes. Nevoja për t’u adaptuar me kohën kur e kemi filluar këtë punë 10 vjet më parë ka qenë më e thjeshtë, por sot është e papërballueshme sepse prurja e jashtëzakonshme e informacionit dhe zgjerimi i kanaleve të informacionit ku teknologjia po merr një rol të jashtëzakonshëm, është e tillë që vë në pikëpyetje shumë nga gjërat që ne i kemi marrë të mirëqena dhe na vë para përgjegjësisë për të ruajtur disa ekuilibra themelor që sot janë në rrezik.

Shumica prej jush janë prindër dhe e kuptojnë se çfarë ngarkese psikologjike dhe punë kërkon të merresh me një fëmijë. Por kjo kohë nuk e ka vënë në pikëpyetje rolin e mësuesit. Ka vënë në pah domosdoshmërinë që ne ta fuqizojmë rolin e mësuesit sa më shumë të mundemi. T’u japim atyre forcë, motivim dhe aftësi për t’u përballur me atë që koha sjell para sistemit arsimor. Shumë prej tyre duket të papërballueshme për shkak të kontaktit që kanë me teknologjinë, por edhe për shkak të transformimit që teknologjia po i bën kohës së prindërve apo gjyshërve tanë.

Ne do të bëjmë të pamundurën që në këtë fazë të rrisim mbështetjen e gjithëanshme për shkollën dhe mësuesit. Sikurse e keni vënë re ka filluar një luftë pa armë, por e egër për kapitalin njerëzor dhe vendet e zhvilluara që sot po përballen me fenomenin e pandalshëm të plakjes, janë investuar, po investohen dhe do të investohen gjithnjë e më shumë për të marrë kapital njerëzor pa mëshirë.

Fuqia tërheqëse e tyre për kapitalin njerëzor si yni mbetet sfiduese për të gjithë ne. Oferta e tyre mbetet sfiduese, por ne nuk mund të mos reagojmë qoftë edhe në një mënyrë tradicionale për të ruajtur kapitalin tonë njerëzor sepse përndryshe në një kohë jo shumë të largët mund të mbetemi në një situatë jo të mirë”- tha Rama.


AlbaniaWeb.net