SHBA, NATO me front të përbashkët në përkrahje të Ukrainës
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken priti në Uashington Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg. Dy zyrtarët theksuan “përkrahjen e palëkundur” për Ukrainën në luftën kundër Rusisë dhe i bënë thirrje ligjvënësve amerikanë të zhbllokojnë ndihmën ushtarake për t’i dhënë Ukrainës mjetet e nevojshme për të zmbrapsur Moskën.
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha të hënën se ndihma që Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj në NATO i ofruan Ukrainës në luftën dyvjeçare kundër sulmit të Rusisë është e pashembullt, ashtu si edhe fronti i përbashkët i tyre për t’u siguruar që Ukraina të jetë e përgatitur për t’u përballur me Rusinë.
“Përkrahja që Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Ukrainës është e jashtëzakonshme, rreth 75 miliardë dollarë në dy vitet e fundit. Por partnerët dhe aleatët tanë, në veçanti aleatët kryesorë të NATO-s, kanë dhënë mbi 110 miliardë dollarë gjatë të njëjtës periudhë. Barra që kemi ndarë në rastin e Ukrainës qoftë në drejtim të përkrahjes ushtarake, asaj ekonomike dhe humanitare ka qenë e jashtëzakonshme. Por për të siguruar vazhdimësinë e kësaj mbështetjeje, që të gjithë të bëjmë gjithçka që është e nevojshme për të garantuar suksesin e Ukrainës ndaj Rusisë, që ajo të mos dështojë në aspektin strategjik, është e domosdoshme për Kongresin të miratojë kërkesën e presidentit për fondet shtesë”, deklaroi Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken.
Bllokimi politik në Kongres ka ngrirë ndihmën ushtarake amerikane për Ukrainën. Zoti Blinken dhe zoti Stoltenberg i bënë thirrje Uashingtonit të bëjë përparim dhe të zhbllokojë ndihmën.
“Me një pjesë të vogël të shpenzimeve vjetore të përgjithshme ushtarake, Shtetet e Bashkuara ndihmuan Ukrainën të shkatërrojë një pjesë të madhe të kapacitetit luftarak të Rusisë, pa rrezikuar as një ushtar të vetëm amerikan. E mirëpres përkushtimin e qartë të Presidentit Biden dhe tuajin për të vazhduar përkrahjen amerikane për Ukrainën dhe për të punuar me Kongresin në këtë drejtim. Siç thatë edhe ju edhe aleatët po kontribuojnë,” tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg.
Sekretari i NATO-s gjithashtu tha Kina po ndjek me kujdes se si Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja po i përgjigjen pushtimit rus.
“E kuptoj që shumë nga aleatët tanë janë gjithashtu të shqetësuar për Kinën, por ky nuk është argument për të qenë më pak të shqetësuar për Ukrainën. Siguria nuk është çështje rajonale, ajo është globale. Ajo që ndodh në Evropë ka rëndësi për Azinë dhe ajo që ndodh në Azi ndikon në Evropë. Sot është Ukraina. Nesër mund të jetë Tajvani. Prandaj është në interesin tonë që t’u sigurojmë atyre armatimin dhe përkrahjen që u nevojitet. Dhe kam besim se aleatët tanë do ta bëjnë një gjë të tillë,” deklaroi zoti Stoltenberg.
Sipas Sekretarit Stoltenberg, ndihma për Ukrainën nuk është bamirësi, “por një investim në sigurinë tonë që po vëzhgohet me kujdes nga Pekini.”
“Po shohim se si Kina dhe Rusia janë gjithnjë e më shumë në të njëjtën linjë dhe se si Kina po ndihmon ekonominë ruse, përfshirë prodhimin në fushën e mbrojtjes. Po shohim se si Kina po përsërit dhe po shpërndan të njëjtin qëndrim si Rusia për luftën dhe se si Kina nuk e ka dënuar pushtimin e jashtëligjshëm të Ukrainës. Dhe na duhet të rikujtojmë se disa ditë para pushtimit, Kina dhe Rusia, presidentët Putin dhe Xi, nënshkruan një marrëveshje të përbashkët partneriteti duke i premtuar njëri tjetrit një partneritet të pakufishëm,” shtoi ai.
Sekretari amerikan Blinken tha se me anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO, aleanca veriatlantike ka dëshmuar se dera e saj mbetet e hapur për anëtarë të tjerë, duke u shprehur se është i bindur që Ukraina do të bëhet anëtare e NATO-s.