Trafik qeniesh njerëzore për shtresën e mesme
Autorë: Adelina Gashi, Marguerite Meyer, Vladimir Karaj
Pjesa e parë: Udhëtimi i Lirijes
Ky hulumtim ka filluar para më shumë se 10 muajve, me shkas nga një artikull në një gazetë rajonale të Zvicrës. Një vajzë 19 vjeç nga Shqipëria paditi ish-punëdhënësin. 19-vjeçarja kishte punuar në të zezë si dado për një çift nga Zvicra me tre fëmijë. Por kushtet e punës i ngjanin skllavërisë. Veç kujdesit për fëmijët, 19-vjeçares i duhet të punojë 24 orë në 24, të lajë, të gatuaj, të pastrojë. Pagesa për gjithë këtë është vetëm 300 franga në muaj dhe në trajtim përfshihet rrahja. E që ajo të mos kishte asnjë shans të largohej, i kishin marrë pasaportën.
Çifti u gjet fajtor për akuzat e kërcënimit, shkeljes së Ligjit për të Huajt dhe Integrimin dhe trafik qeniesh njerëzore. Akuza e fundit na tërhoqi vëmendjen, sepse ndodh mjaft rrallë që dikush në Zvicër të dënohet për trafik njerëzish. Mesatarisht, gjykata shqyrton rreth 80 raste të tilla në vit. Kjo na shtyu të kërkojmë të mësojmë më shumë për vajzën e re dhe pas disa përpjekjeve, ajo pranoi të takohet me ne.
Kur filluam hulumtimin, ende nuk e kishim idenë se çfarë të panjohurash fshihen pas kësaj historie, as që historia e saj nuk është një rast i izoluar. Lirijen, siç po e quajmë për t’i ruajtur anonimatin, e takojmë në zyrën e avokates. Tani ajo është 23 vjeçe dhe jeton në të njëjtin qytet, pavarësisht se aty ka vuajtur shumë. Ajo nuk dëshiron të kthehet në Shqipëri. “Tani më lejohet të qëndroj në Zvicër dhe po kërkoj një banesë“, thotë ajo duke buzëqeshur me ndrojtje. Së shpejti ajo planifikon të mësojë një zanat.
Fytyra e saj ka tiparet e një fëmije, por kjo përshtypje është e rreme, pasi Lirija është luftarake, ndryshe nga sa duket nga jashtë. Kur flet për rininë e saj, ajo shpesh shikon me druajtje duart e veta.
Ajo u rrit në një qytezë të vogël të Shqipërisë. Pasi përfundoi shkollën, ajo ndihmonte të atin në dyqan dhe të ëmën në punët e shtëpisë. Fundjavave takohej me shoqet e kushërinjtë për kafe apo lëng frutash në qendrën e qytezës ku mblidheshin të gjithë. Bashkë me shoqet, ajo ëndërron për një jetë më të mirë, larg prej qytezës së varfër të lindjes.
Mungesa e perspektivës për to, është në fakt shembull i gjendjes së përgjithshme shpirtërore të shumë të rinjve shqiptarë. Ekonomia e dobët dhe zhgënjimi nga politika shtyjnë çdo vit dhjetëra mijëra të rinj nga Shqipëria drejt Evropës Perëndimore. Atje ata kryesisht punojnë në sektorë me paga të ulëta, si infermierë, në sektorin e hotelerisë apo atë të kujdesit të fëmijëve. Shumica e këtyre punëve janë pozicione të rregullta, por jo gjithmonë është kështu. Veçanërisht jo në biznesin e dadove, siç zbuluam gjatë hulumtimit tonë.
Prindërit e Lirijes nuk e shikonin të ardhmen e saj jashtë vendit, por pranë një bashkëshorti në Shqipëri. Dëshirat e saj për t’u arsimuar e ndoshta për të bërë karrierë nuk u përfillën prej prindërve. Sapo mbushi 18 vjeçe, Lirija u martua me një burrë të zgjedhur nga familja. “Nuk ishte i keq, por unë nuk e doja”, kujton ajo.
Lirija ndihej e shtypur, e burgosur në një martesë pa dashuri dhe me varësi financiare nga bashkëshorti.
Një mbrëmje, kur ishin duke pirë çaj, vjehrra i tregoi Lirijes për punën si dado në Zvicër. Paratë fitoheshin lehtësisht, ushqimi dhe strehimi ishin të përfshira. Nuk ishte e nevojshme të kishte shkollim dhe pas 3 muajsh mund të kthehej në shtëpi, kujton ajo t’i ketë thënë e vjehrra.
Kjo ishte një mundësi tunduese për Lirijen. Ajo kërkoi në Instagram me fjalët “dado” dhe “Zvicër” dhe shpejt gjeti një faqe me reklama. Në reklama premtohej sistemimi i shpejtë në një familje zvicerane dhe një pagë e mirë. Me këtë në mendje, ajo ndërtoi fshehurazi një plan që t’i shpëtonte situatës së saj të pashpresë dhe t’i kthente shpinën Shqipërisë. Ajo dëshironte të kishte përsëri një zgjedhje, të vendoste vetë se si duhet të ishte jeta e saj, edhe pse kjo mund të nënkuptonte se duhej të jetonte larg vendlindjes përgjithmonë.
Ajo nuk e njihte Zvicrën, por shpresonte të gjente aty mundësitë që i ishin mohuar më parë në Shqipëri: arsimim, një punë, shtëpinë e saj dhe një partner që ajo e zgjedh vetë.
Ajo nuk priste që puna e dados, bileta e saj e supozuar e lirisë, do të kthehej në një makth dhe që sapo të mbërrinte në Zvicër do të binte në kthetrat e trafikantëve të qenieve njerëzore.
“Trafikimi i qenieve njerëzore është skllavëri moderne”, shkruan Fedpol, Zyra Federale e Policisë Zvicerane, në faqen e saj të internetit. Është tronditëse sa shumë Lirija i ngjan viktimës tipike që përshkruan Fedpol.
Iris Luarasi, pedagoge e gazetarisë dhe eksperte për të drejtat e grave në Shqipëri, thotë se shumica e grave dhe vajzave që u përgjigjen reklamave të tilla e dinë që shpesh puna nuk ishte e ligjshme. “Por nëse je e papunë në shtëpi çdo ditë, perspektiva për të gjetur një punë si dado në Zvicër është shumë e mirë”, thotë Luarasi. Ajo shpjegon se shqiptarët ishin mësuar të duhej të punonin në të zezë për të siguruar bukën e gojës, qoftë në Shqipëri apo në një nga vendet fqinje si Greqia e Italia. “Pra, vetëm për shkak se diçka nuk duket plotësisht e ligjshme, nuk do t’i pengojë ata dhe as do t’i bëjë të dyshojnë”, thotë ajo.
Pjesa 2: Agjencia
Lirija tha para gjykatës zvicerane se ajo ishte rekrutuar përmes rrjeteve sociale. Kështu që edhe ne regjistrohemi. Fillimisht në Facebook, më pas në Instagram. Një nga faqet e para që gjejmë quhet thjesht “Babysitter në Zvicër”. Faqja është plot me reklama dhe me ilustrime fëmijësh të lumtur, arusha prej pelushi dhe tullumbace. “Në Solothurn kërkohet urgjentisht një dado për dy fëmijë, gjashtë dhe katër vjeç. Pagesa: 600 franga në muaj.”
Ne gjejmë dhjetëra llogari të tilla, secila me nga mijëra ndjekës dhe me postime të reja çdo ditë. Ato të krijojnë përshtypjen e një agjencie profesionale, por asnjëra prej tyre nuk është e regjistruar si e tillë në Zvicër. Mes komenteve, gra të reja dhe të moshuara shkruajnë: “Më pëlqejnë fëmijët dhe kam përvojë kujdesi. Ku mund të aplikoj?”
Nga kjo, ne kuptojmë që rasti që po ndjekim mund të mos jetë i vetmi dhe Lirija nuk është e vetmja viktimë.
Pas hulumtimit në rrjete sociale dhe dokumente gjyqësore, ne gjurmuam disa gra që kishin përvoja të ngjashme me Lirijen.
Edhe pse duan të na tregojnë historinë e tyre, ato kanë frikë dhe në asnjë rrethanë nuk duan të identifikohen. Ndonjëherë ato ende kanë frikë nga autorët e trafikimit, ose janë ende në kontakt me ta.
Trafikimi i qenieve njerëzore përfshin një rrjet kompleks varësish psikologjike, fizike dhe financiare. Turpi se u mashtruan apo për atë që lejuan t’u ndodhte është i ngulitur thellë mes të prekurave. Ato shpesh u tregojnë të afërmve të tyre vetëm gjysmën e së vërtetës. Prandaj i kemi anonimizuar emrat e tyre dhe u kemi ndryshuar detajet identifikuese. Historitë e tyre tregojnë sistemin që trafikantët e dadove nga Zvicra përdorin për të vepruar.
Në Tiranë, takojmë Klaudian për një kafe buzë liqenit në një pasdite me diell. Ajo ka veshur një xhaketë elegante lëkure me mëngët të përveshura dhe buzëqesh gjerësisht. “Më pëlqen të vij këtu kur punoj nga shtëpia”, thotë ajo. Sot ajo punon si zyrtare publike dhe puna që bën i pëlqen. Shtatë apo tetë vjet më parë ajo ishte në Zvicër si dado. Ajo ishte me fat. Pas muajve të kërkimit tonë, ajo është e vetmja grua që ka vetëm gjëra të mira për të thënë për eksperiencën e saj në Zvicër.
Në atë kohë, Klaudia sapo kishte përfunduar studimet në Tiranë dhe donte të kalonte kohën derisa të gjente një punë të përshtatshme. Rastësisht, ajo hasi në një reklamë të një familjeje zvicerane: “Isha kurioze dhe doja të shihja diçka jashtë Shqipërisë.”
Ajo nuk e mendoi gjatë propozimin. “U shkrova, dy javë më vonë udhëtova për në Zvicër. Fillimisht udhëtova me traget për në Itali, më pas drejt veriut. Në minibus ishin katër-pesë gra të tjera. Kjo më qetësoi”, thotë ajo.Klaudia qëndroi tre muaj në Zvicër. “Familja më merrte me vete në udhëtime dhe më tregoi Zvicrën”, thotë ajo. Ajo kujton se kishte një marrëdhënie të mirë me të zonjën e shtëpisë. Ato pinin kafe së bashku ose gatuanin ushqime tradicionale shqiptare.
Vetëm disa muaj pas kthimit të saj në Shqipëri, Klaudia mësoi nga të njohurit se operatorët e faqeve në Facebook, ku reklamohej punësimi si dado, nisën të kërkonin para nga gratë e interesuara. Fillimisht 50 euro, pastaj 100. “Ata pretendojnë se kjo përdoret për të kontrolluar familjet pritëse për të parë nëse janë të mirë.” Klaudia mbledh supet: “Unë nuk e besoj këtë.”
Sot ajo nuk do të përfshihej më në diçka të tillë. “Por atëherë, me paratë që fitova, munda të blija një makinë”, thotë ajo. Më pas merr celularin nga tavolina dhe na tregon fotot e një vajze të vogël: “Kjo është e vogla. Ajo është shumë e ëmbël.”
Me kalimin e viteve, natyra e reklamave në mediat sociale për punësim dadosh ka ndryshuar. Fillimisht ishin kontakte të drejtpërdrejta. Më pas, operatorët e faqeve, me sa duket, e kuptuan se mund të bënin para me këtë mjet. Që atëherë, një tarifë e vogël kërkohet si garanci, që sigurisht nuk është garanci për asgjë.
Së fundmi, ky biznes i paligjshëm u bë më “profesional”. Grave të interesuara u kërkohet tani të paguajnë paradhënie për udhëtimin, për një pasaportë false apo edhe u premtohen kontrata. Ashtu si në ekonominë e ligjshme, edhe këtu ka ofrues shërbimesh shtesë si falsifikuesi i pasaportave apo udhërrëfyesi. Tani po shfaqen reklama edhe për kameriere dhe kërcimtare. “Unë mund t’ju sjell gra nga Bullgaria”, shkruan dikush në një koment poshtë një reklame të tillë.
Gjatë hulumtimit tonë, zbuluam se ka disa grupe të vogla në Zvicër që sjellin gratë në vend si dado. Biznesi nuk duket të jetë ende në duart e një organizate të vetme. Një mafia e tillë do të ishte hapi klasik i përshkallëzimit në fushën e krimit të organizuar.
Shpresa nuk dinte asgjë për të gjitha këto. Dhe ne nuk dinim shumë për ta, sepse asnjëherë nuk arrijmë t’i njohim personalisht personat pas skenës. Për Shpresën dëgjuam nga një koleg gazetar. “Hej. Ju po hulumtoni trafikun e qenieve njerëzore të dadove shqiptare, apo jo? Sot në gjykatë kemi një çështje gjyqësore për këtë temë”, na shkroi ajo përmes WhatsApp-it një mëngjes.
Pa u menduar gjatë, udhëtuam në një qytet të vogël zviceran. Seanca e apelit do të zhvillohet në sallën e gjyqit. Përveç nesh, të vetmit në sallë janë të pandehurit – burrë e grua – gjyqtari, ndihmësi i tij dhe një gazetar tjetër. Asgjë interesante, mendojmë në fillim.
Çifti ishte dënuar në shkallë të parë për “punësim të të huajve pa leje”, e ka ankimuar vendimin. Të dy janë rreth 40 vjeç, duken të stresuar dhe të dëshpëruar dhe nuk kanë as avokat as mbrojtës publik. Ajo punon si shitëse përmes telefonit, ai punon si mekanik. Të dy kanë të ardhura mujore familjare prej rreth 6,500 frangash për veten dhe katër fëmijët e tyre.
“E njohëm kur ishim me pushime në Shqipëri”, thonë ata për dadon. Historia që ata tregojnë më pas nuk është dhe aq e qartë, por gjykata duket se është e kënaqur me të. Në fund atyre u jepet pafajësi.
Pjesa 3: Transporti
Shpresa, vajza e re për të cilën bëhet gjyqi, nuk është e pranishme në gjykatë. Ku është ajo? “Nuk e dimë”, tha çifti. Atë e mori një taksi një nga këto ditë. Taksia duhej ta çonte në stacionin e autobusëve në Zyrih dhe, prej andej, ajo donte të kthehej me autobus në Tiranë. Burri thotë se nuk e di se kush ishin personat me të në makinë. Megjithatë, ai e përshkruan kompaninë e taksive, të cilën e hasim sërish në një bisedë me një viktimë tjetër.
Shpresa nuk u largua nga Zvicra atë ditë, edhe pse tre muajt e saj të qëndrimit të ligjshëm kishin skaduar tashmë. Ajo u kap një muaj më vonë gjatë një kontrolli rutinë identiteti pranë kufirit gjerman. Ajo i tha policisë se kishte punuar për çiftin si dado dhe ndihmëse shtëpiake dhe pretendoi se ishte paguar për vetëm dy muaj e gjysmë nga katër që ata i detyroheshin. Ajo tregoi se kishte marrë një pasaportë false, por shitësi i saj mbetet i panjohur. Nga deklarata e Shpresës, prokuroria nisi hetimet dhe gjyqi ndaj çiftit që e kishte punësua u nis prej kësaj deklarate.
Shpresa u dëbua nga vendi. Tani asaj nuk lejohet të hyjë më në Zvicër për dy vjet. Ajo nuk u soll për t’u marrë në pyetje gjatë procesit gjyqësor dhe as nuk u kërkohet ndihmë homologëve të saj shqiptarë për ta gjetur. Gjykata gjeti se deklaratat e Shpresës nuk mund të përdoreshin në proces.
Duket sikur ky shembull zbulon pafuqinë e përgjithshme të autoriteteve zvicerane dhe mungesën e koordinimit në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore. Duket sikur rasti duhej të mbyllej shpejt. Viktima nuk u gjet, çifti u shpall i pafajshëm.
Organizatorët që qëndrojnë pas kësaj mbeten të pangacmuar.
Ne duam të gjejmë Shpresën dhe udhëtojmë drejt Shqipërisë. Ndjekim me kujdes rrugën e saj dhe e kërkojmë atë përmes ish-kolegëve të punës dhe fqinjëve në qytetin e saj të vogël të lindjes. Por asgjë. Nuk e dimë se si Shpresa erdhi në Zvicër dhe as çfarë i ndodhi më pas.
Ndryshe nga klisheja, njerëzit e trafikuar rrallë transportohen me kamionë të errësuar, shumica e rrugëve të tyre të udhëtimit janë normale – me autobus, aeroplan, taksi, makinë private. Ata janë një mall si çdo tjetër në këtë industri. Një mall që mund të përdoret për të fituar para. Zinxhirët e furnizimit janë ndërkombëtar.
Trafikimi i qenieve njerëzore dhe kontrabanda e tyre nuk janë e njëjta gjë. Kontrabandistët sjellin njerëz nga pika A në B, fitimet vijnë nga ofrimi i shërbimit të “transportit”. Në trafikimin e qenieve njerëzore, transporti është vetëm mjeti për një qëllim – thelbi i biznesit është shfrytëzimi i punës dhe trupave. Megjithatë, të dy format shpesh ndërthuren.
Trafikantët e qenieve njerëzore kanë ndihmësit e tyre përgjatë rrugës. Ndonjëherë është shoferi i autobusit ai që i mbledh paratë e biletës vetëm kur arrin në Zvicër. Ndonjëherë një zyrtar kufiri që nuk e shikon nga afër një pasaportë, ose një kompani taksie që është mirënjohëse për klientët e saj të rregullt dhe nuk bën pyetje për gratë që ndryshojnë vazhdimisht në makinat e tyre.
Në rastin e Lirijes, ishte shoferi i fugonit të turistëve që e çoi nga Shqipëria në Zvicër. “Ai fliste në telefon gjatë udhëtimit”, kujton ajo dhe tund kokën. Përpara se të mbërrinin në kufi, ai i dha disa qindra euro. Në kufijtë ndërkombëtarë ndonjëherë bëhen kontrolle për të parë nëse njerëzit kanë para të mjaftueshme për qëndrimin e tyre. “Pasi kaluam kufirin me Zvicrën, ai m’i mori paratë përsëri”, thotë Lirija.
Në stacionin e autobusit atë e priste punëdhënësi. Ajo kishte biseduar gjithçka me të në telefon. Ai e dinte për rrethanat e vështira të saj në Shqipëri. Ai pagoi shoferin e autobusit për biletën dhe e çoi Lirijen në periferi të një qyteti zviceran.
Ne e vizituam këtë vend më vonë. Është një lagje që nuk bie në sy, blloqe pallatesh kubike duket se janë hedhur aksidentalisht në atë që dikur ishte një fushë. Në hyrje të shtëpive ka karroca fëmijësh dhe në mure janë njoftimet e varura nga administrata që i informojnë për atë që është e ndaluar. Fytyra të lodhura presin në stacionin e autobusit.
Këtu jeton shtresa e mesme e ulët dhe prekariati modern, jetojnë pastruesit, infermierët dhe sanitaret e vendit, shitëset dhe punëtorët e ndërtimit. Janë ata dhe familjet e tyre që zakonisht kërkojnë dado të tilla, sepse kanë nevojë për mbështetje në jetën e përditshme të cilën mezi e përballojnë. Këtu, në këtë konglomerat pa fytyrë, Lirija nuk gjeti një jetë të re shpresëdhënëse, por këtu filloi një udhëtim i ri nëpër ferr.
Pjesa 4: Në Zvicër
Trafikimi i qenieve njerëzore është i vështirë të kuptohet nga jashtë, sidomos kur nuk bëhet fjalë jo për prostitucionin e detyruar, por për shfrytëzimin e punëtorëve të zakonshëm. Kush e pyet veten nëse kamerierja në restorantin e tyre të preferuar po shërben e detyruar? Apo nëse po shfrytëzohet punëtori i ndërtimit që ngrihet i mërzitur herët në mëngjes?
Në fillim, mes palëve krijohet zakonisht një marrëdhënie varësie, përmes mashtrimit, borxhit, shfrytëzimit të rrethanave të veçanta familjare. Kur viktimat arrijnë në Zvicër, çarku mbyllet. Ata nuk e njohin vendin, nuk e flasin gjuhën dhe nuk njohin askënd përveç atyre që i kanë sjellë. Viktima mund të qëndrojë ligjërisht për tre muaj në Zvicër – qytetarët e Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Veriut nuk kanë nevojë për vizë për këtë kohë qëndrimi në Zvicër, por ata nuk lejohen të punojnë gjatë kësaj kohe, ndryshe nga qytetarët nga zona e BE-së apo EFTA-s.
Edhe në Shqipëri situata nuk është e ndryshme. “Në veçanti të rinjtë shpesh nuk mendojnë për sigurimet shëndetësore dhe sigurimet shoqërore”, thotë Iris Luarasi, ekspertja shqiptare për të drejtat e grave. “Ata besojnë se pasi të kenë një pikëmbështetje diku, mund të kujdesen më vonë për dokumentet”, thotë ajo.
Por viktimat nuk e dinë që duke punuar ilegalisht si dado, po e bëjnë veten shkelëse të ligjit që në fillim. Autorët e shfrytëzojnë këtë paturpësisht. Është një mashtrim i lig, siç e emërton edhe Zyra Federale e Policisë. Sipas FedPol viktimat nuk kanë zgjidhje tjetër veçse të pranojnë të shfrytëzohen.
Gjatë hulumtimit tonë, ne lexuam dokumente gjyqësore që dëshmojnë për mizori psikologjike dhe fizike, nga shantazhi emocional deri te përdhunimi. Gratë raportojnë rrahje, poshtërime dhe kërcënime me vdekje, duke përfshirë në këto kërcënime edhe familjet e tyre. Po ashtu, dëgjuam mesazhe zanore të dhunshme dhe fyese të dërguara nga shfrytëzuesit.
Ndonjëherë viktimat e dinë se janë duke u angazhuar në punë ilegale në Zvicër apo që po mashtrohen. Ashtu si Ardita*.
Nëpunësja e re po përpiqej të rregullonte jetën e saj pas një divorci të shëmtuar. Një i afërm e vuri në dijeni për një punë në Zvicër. Ajo tregon se fillimisht ishte dyshuese, por i afërmi i saj e siguroi se një ndërmjetës do të kujdesej për gjithçka. Ai do të organizonte të gjithë udhëtimin për të dhe do t’i rregullonte një kontratë pune të ligjshme pas mbërritjes. Ardita e besoi këtë nisur nga imazhi që ka për Zvicrën, me siguri juridike edhe për punonjësit si ajo. Kështu ajo fluturoi për në Zyrih e gëzuar.
Fillimisht, ajo kaloi disa muaj gjatë verës me një familje në Schaffhausen (në veri të Zvicrës). Por shpejt u zhgënjye nga puna. Për 600 franga në muaj, Arditës i duhej të kujdesej për tre fëmijë të vegjël dhe shtëpinë. Ajo na thotë në një bisedë telefonike se kishte rënë dakord për diçka tjetër. “Mendova se do të më duhej të kujdesesha vetëm për një fëmijë dhe jo të gatuaj apo pastroj. Kam punuar si kalë”, thotë ajo.
E mërzitur, ajo kontaktoi Qemalin, sekserin e saj. Ai i premtoi se do t’i gjente një punë të re diku tjetër, por në këmbim i kërkoi të paguajë një “tarifë ndërmjetësimi”. Ardita është gati të punojë shumë dhe për këtë ajo nuk turpërohet kur ai më në fund i ofroi një punë si pastruese në një klub të Zyrihut.
Gjatë pesë javëve që pasuan, Ardita punoi për 4 burra të ndryshëm. Për pjesën më të madhe të kohës ajo pastroi në restorante dhe bare, por kishte edhe ditë pa punë, kur thjeshtë rrinte dhe priste. Në disa raste atë e kaluan përtej kufirit në një qytet në Gjermani, ku pastroi hotele. Një nga punëdhënësit i mori pasaportën. Paratë për punën, kontratën apo lejen e punës që i premtuan, ajo nuk i pa kurrë.
Protestat e Arditës bien në vesh të shurdhët. “Mos u shqetëso, paratë do të t’i japim së shpejti”, i thonë pronarët e restoranteve ku pastron. “Vetëm ki durim”, i thotë Qemali, i cili kishte premtuar se do të kujdesej për të gjitha formalitetet.
Ardita mërzitet gjithmonë e më shumë, protestat e saj bëhen më kërkuese. “Ku janë paratë e mia? Do të shkoj në polici”, thotë ajo. “Do të të shkosh në burg për punë të paligjshme”, kërcënon një nga punëdhënësit.
Ardita edhe sot nuk mund ta besojë, siç na ka thënë në telefon, që nuk mori asnjë cent pagë për punën e saj.
“I shkrova edhe motrës së një pronari restoranti”, thotë ajo, por burrat ose nuk reaguan fare ose u bënë agresivë. “Kurvë budallaqe, çfarë mendon se po bën? Turp i familjes tënde”, dëgjohet të thuhet në një nga mesazhet zanore që Ardita na jep.
Ne kemi dhjetëra screenshot-e nga ekrani i telefonit të saj dhe po ashtu histori bisedash, që konfirmojnë atë që ajo tregon.
Një herë ajo i shkroi sekserit të saj: “Hej Qemal, kur do ta marr më në fund lejen e punës?” Ai e shmangu, i tha që kontrata do bëhej shpejti. Më pas e kërcënoi dhe e shau: “Kurvë”. Pas disa javësh, Qemali e dërgoi në aeroport dhe e përcolli për në shtëpi. Premtimet, ato ishin dhe mbetën të zbrazëta.
Historia e Arditës i ngjan rasteve të tjera që ne hasëm gjatë këtij hulumtimi. Ajo konfirmon modelin e mashtrimit, taktikave të bllokimit dhe kanosjes. Vetëvlerësimi i viktimave thyhet në këtë mënyrë dhe zhduk çdo përpjekje për pavarësi.
Nga programi televiziv (Fiks Fare) i një televizioni shqiptar mësojmë për një tjetër rast, atë të Marianës*. Ajo ishte gjithashtu kishte kontaktuar me një sekser përmes WhatsApp-it:
“Mund të punosh si asistente në një kompani pastrimi”, thotë ai në mesazh. Kushti: “Duhet të flesh me mua një herë në javë”, tregon ajo gjatë emisionit televiziv. Mariana nuk e pranoi punën. Mesazhi që tingëllon si një flirtim i trashë nga një burrë banal, është në fakt pjesë e skemës së mashtrimit të synuar. Trafikantët e qenieve njerëzore i përdorin këto biseda, në dukje banale, për të testuar se sa e dëshpëruar është një viktimë e mundshme. A ka nevojë për para dhe sa larg do të shkonte për t’i siguruar ato.
Babai i fëmijës për të cilin kujdesej, i sugjeroi një dadoje tjetër, me të cilën ne folëm, punën në një klub të paligjshëm nate ku, duke “shërbyer”, mund të fitonte deri në njëmijë franga në natë.
Ajo, siç kuptojmë nga biseda dhe detajet, ka pranuar, por neve na e mohon: “Nuk e kam bërë kurrë këtë punë. Nuk është për mua”, thotë.
Kjo na ndodh edhe në biseda të tjera me viktimat, që tregojnë diçka dhe më pas mohojnë ta kenë bërë. Të përfshirë në një situatë të turbullt, me frikë, turp e tabu, ne vendosim t’u përmbahemi fakteve, kryesisht dokumenteve gjyqësore dhe deklaratave zyrtare të viktimave. Megjithëse i kemi këto, nuk mund të përballemi me autorët e dyshuar – edhe pse i dimë emrat dhe kemi numrat e tyre të telefonit – pasi nëse e bëjmë këtë, mund t’i vëmë viktimat në rrezik.
Por, nga të dhënat dhe dëshmitë, na bëhet e qartë, se ajo që fillon si një punë si dado, mund të përfundojë në shfrytëzim prostitucioni.
Pjesa 5: Odiseja nuk mbaron
Makthi i njerëzve të trafikuar nuk mbaron edhe nëse ata i shpëtojnë, kur janë me fat, torturuesve të tyre. Në shumë raste, kthimi në shtëpi është një kthim pas në vendin ku mungon shpresa, shpesh me më pak para se përpara fillimit të gjithë odisesë. Edhe traumat psikologjike dhe fizike lënë gjurmë.
Megjithatë nga turpi, shumica e viktimave nuk flasin për atë që u ndodhi. Ato nuk figurojnë në asnjë statistikë, as ardhjet dhe largimet e tyre nuk kanë asnjë rëndësi askund. Ato nuk u regjistruan kurrë si punëtore në Zvicër. As nga punëdhënësit e tyre, të cilët, në rastin më të mirë, thjesht kërkonin përkujdesje të përballueshme për fëmijët, dhe sigurisht jo nga organizatorët e skemës, trafikantët e qenieve njerëzore, të cilët nga njëra anë përfitojnë nga kërkesa gjithnjë në rritje për dado të lira dhe nga ana tjetër edhe nga nevojat dhe mungesa e shpresës së grave viktima.
“Që kur filloi lëvizja e lirë e njerëzve (zona Shengen), sigurisht që është më e lehtë të gjesh punë legale në vende të tjera. Por, për ne, është një disavantazh që askush nuk raportohet më nëse është dëbuar apo kthyer vetë”, thotë Brikena Puka, drejtoresha e Vatra, një OJQ në qytetin e Vlorës që lufton trafikimin e grave nga Shqipëria. “Kjo e bën edhe më të vështirë identifikimin e viktimave kur ato kthehen nga Zvicra”, thotë Puka.
Shumë njerëz në Shqipëri kanë dëgjuar për mundësinë për të punuar si dado në Zvicër. Bisedat që bëmë na e konfirmojnë këtë. Disa njohin një kushëri apo vajzën e një shoku që ka punuar si dado, megjithatë, shumë pak njerëz e dinë se bëhet fjalë për trafikim të qenieve njerëzore. Edhe pranë organizatës Vatra nuk kanë një ide të qartë se si mund t’i qasen këtij problemi. Puka shpreh bindjen se luftës ndërkufitare kundër trafikut i duhet një koordinim më i mirë.
Lirija, e cila punoi në kushte skllavërie në Zvicër, ka gjetur besim të ri pas sprovës që kaloi. Ajo u vendos në një strehë, ku iu dha mbështetje psikologjike dhe po ashtu u mbështet gjatë procesit gjyqësor. Megjithatë, edhe sot ajo është ende e paqëndrueshme. Asaj i lejohet të qëndrojë në Zvicër vetëm sepse cilësohet si një “rast i vështirë” për shkak të rrethanave të saj, që i ka mundësuar të rindërtojë të ardhmen e saj këtu.
Të tjera viktima, si Ardita për shembull, u kthyen në vendlindje. Ajo thotë se dëshiron ta provojë sërish Zvicrën, ndoshta herën e dytë do të ketë fat më të mirë dhe do të gjejë një punë të vërtetë. “Deri më sot, nuk kam mundur t’i tregoj familjes sime se çfarë më ndodhi”, thotë ajo. “Turpi është shumë i madh.”
Të tjera, si Mariana dhe Shpresa, janë dëbuar ose zhdukur në mënyrë të pashpjegueshme nga skena. I kemi humbur gjurmët e tyre. Është e mundur që kjo është pikërisht ajo që ata donin, ose ato ranë sërish në kthetrat e trafikantëve të qenieve njerëzore. Ky është një model që përsëritet shpesh në rrethin vicioz të varësive, pasi viktimat kanë nevojë për para, për veten apo dhe familjet e tyre. Kështu që ato përpiqen përsëri, duke shpresuar se këtë herë do të jetë më mirë.
—-
Ky hulumtim është kryer me mbështetjen e JournaFONDS. Një pjesë e shpenzimeve të udhëtimit u mundësuan nga fondi mediatik Real 21. Shkrimi u botua më herët në revistën e njohur zvicerane Beobachter.