Thu, Nov 28, 2024

Pa mesatare në magjistraturë? Këshilli drejtues ndryshon kushtet e pranimit në konkurs: Nuk preket cilësia

  • PublishedFebruary 1, 2024

Këshilli Drejtues i Shkollës së Magjistraturës prej 15 anëtarësh, me asnjë kundërshti, ka ndryshuar një nga kushtet e pranimit në konkursin për gjyqtarët dhe prokurorët e rinj; duke hequr mesataren mbi tetë për lëndët kryesore si e drejta penale, civile apo kushtetuese.

Dashamir Kore, një nga anëtarët e Këshillit zbulon për AlbaniaWeb.net se kjo çështje është shqyrtuar në disa hallka të shkollës dhe është marr vendim unanim për lehtësimin e dosjes së konkurrimit të kandidatëve për magjistratë për shkak të keqkuptimeve të krijuara. Mirëpo, ky vendim ka shfaqur shqetësim te aktivistët të cilët e cilësojnë si të gabuar dhe të panevojshëm.

Mund të shkonte 7.98 e skualifikohej. Përcaktimi nëse ishte lëndë kryesore apo lëndë me zgjedhje që rridhte  nga një lëndë kryesore, nuk ishte një kriter me karakter objektiv, ndaj për të zhdukur paragjykimet u vendos të hiqej. U vendos që të mbetej vetëm një mesatare, mesatarja mbi tetë e përgjithshme e lëndëve në tërësi, me argumentin se kjo nuk cënon dhe nuk prek interesat e personave për të konkurruar në shkollën e Magjistraturës“- shprehet Dashamir Kore, anëtar i Këshillit Drejtues.

E gjykoj si një kriter të hequr pa nevojë. Gjyqtarët apo magjistratët e rinj nuk janë si mësuesit apo mjekët që i mungojnë sistemit. Po t’i referohemi shifrave të kaluara kanë konkurruar 382 studentë ekselentë për tu bërë magjistratë të rinj për 60 pozicione; kemi konkurrencë atëherë skemi pse të ulim stekën. Kemi të bëjmë me atë që ne dyshojmë si kritere favorizuese për kandidatura të caktuara”-shprehet Rigels Xhemollari, Qëndresa Qytetare.

Akuzat e shoqërisë civile për abuzime në përzgjedhjen e magjistratëve të rinj, Këshilli Drejtues i sheh pa vend; pasi këmbëngul se kandidatët për magjistratë nuk quhen fitues vetëm me pranimin në provim si dhe do të përballen me të njëjtin vështirësi provimi si në vitet e kaluara. Mirëpo Qëndresa qytetare e vlerëson këtë vendimmarrje si hapa pas për reformën në drejtësi.

Nuk është kriter që ata i pranon si student, por është kriter parakusht për të hyrë për të konkurruar, që do të thotë mund të futen disa dhjetëra më shumë në provim, por nuk bëhesh pjesë e shkollës nëse nuk merr provimet, pra nuk ka ndryshuar cilësia“-shton Dashamir Kore.

Nga njëra anë ne shtrëngojmë vetingun dhe kriteret për gjyqtarët e prokurorët që janë në sistem, dhe nga ana tjetër ne kemi një lirim të rrjetës së magjistratëve të rinj, që do të thotë ne hapim dyert edhe për ata që e kanë procedurën penale 5, ata mund të bëhen prokurorë nesër, apo ata mund të bëhen gjyqtarë me nota të ulëta”-shton Xhemollari.

Ky ndryshim prek kandidatët e vitit akademik 2024-2025, të cilët parashikohet të testohen elektronikisht për njohuritë bazë të Fakultetit të Drejtësisë më  22 prill në fazën e parë, e më pas në 24-25 prill.


AlbaniaWeb.net