Vazhdon protesta e blegtorëve në Shqipëri
Blegtorët e bagëtive të imëta po vijojnë protestat në disa zona në Shqipëri duke kërkuar mbështetje nga qeveria për mbrojtjen e prodhimit vendas.
Fillimin e këtij viti blegtorët po përballen me vështirësi për shkak të uljes së çmimit të qumështit nga përpunuesit, të cilët në vend të prodhimit vendas po tërheqin sasi të mëdha qumështi nga vendet fqinje.
Ministria e Bujqësisë ka nisur ditët e fundit një diskutim me blegtorët dhe përpunuesit, por pa njoftuar masa të reja në këtë sektor.
Në Gjirokastër dhjetëra blegtorë që mbarështojnë bagëti të imëta, dele dhe dhi u mblodhën të enjten për të protestuar për, siç thonë ata, situatën e vështirë në të cilën ndodhen dhe mungesën e mbështetjes nga qeveria.
Blegtori Alket Stroka i thotë për Zërin e Amerikës se problem kryesor është mbrojtja e prodhimit të tyre.
“Nga ana e shtetit jemi të quajtur ‘jetim’, pa asnje lloj përkrahje pa asnjë lloj stimulimi. Edhe një sumbvencion që japin 1200 lekë të reja, për ne ky nuk quhet sumbvencion. Duke e krahasuar me vendet e rajonit, të marrim Kosovën që është shteti më i ri e ka 28 euro, Maqedonia e Veriut 35 euro, Serbia 38 euro. Ne jemi të goditur sepse nuk e kemi mbështetjen e barabartë me vendet e rajonit. Këtu vjen qumësht pluhur nga Serbia dhe prodhimit tonë i bie çmimi, i bie vlera. Vjen mish nga Bullgaria dhe Maqedonia dhe mishi jonë në momentin që dalim në treg dalim me çmime qesharake, ne jemi drejt falimentit.”
Njësitë e përpunimit të qumështit e ulën këtë vit në 120 lekë çmimin për një litër qumësht nga 160 deri në 180 lekë që e tërhiqnin një vit më parë nga fermerët pasi i mbulojnë nevojat e tyre me importimin e qumështit krysisht nga vendet fqinje.
Sipas njohësve të ekonomisë, përpunuesit janë favorizuar në çmimimin e qumështit të importuar edhe nga rënia e monedhës europiane euro në tregun valutor.
Përtej mbrojtjes së prodhimit, blegtorët thonë se kanë probleme të mëdha me kullotat dhe infarstrukturën.
Zoti Stroka thotë se në këtë sektor mungojnë investimet dhe se kontratat për kullotat duhet të jenë afatgjata për të favorizuar investimet nga blegtorët.
“Kullotat kanë tridhjetë e ca vite që nuk janë rigjeneruar dhe nuk është ulur kapaciteti shfrytëzues, për to nuk ka asnjë investim. Ndërkohë veprat ujore për blegtorinë janë dëmtuar dhe shumica janë jashtë funksionit. Nëse ka ndonjë shoqatë që merret me mbrojtjen e kafshëve ne duhet të na dënojë, sepse bagëtitë tona në periudhën e verës pijnë ujë një herë në 24 orë apo një herë në 48 orë.”
Ministrja e Bujqësisë Anila Denaj i takoi sot blegtorët në Gjirokastër duke pohuar se prej disa ditësh po zhvillonte një dialog të hapur me prodhuesit dhe përpunuesit e qumështit për të gjetur zgjidhje për problemet që ata hasin.
Ministrja Denaj ka deklaruar se “mbrojtja e prodhimit vendas dhe rritja e kontrollit të çdo hallke prodhuese, përpunuese e tregtare është një objektiv kryesor për sigurinë ushqimore”.
Por gjatë takimeve, autoritetet e bujqësisë ende nuk kanë paraqitur masa të reja që do të ndihmonin këtë sektor, i cili vit pas viti shënon rënie, si në prodhimin e qumështit edhe në numrin e krerëve të bagëtive të imëta.