“Feja nuk është kundër vaksinimit”, nënkryetari i Komunitetit mysliman: Dëgjoni mjekët, e kemi obligim të ruajmë jetën
Rastet e para të infektuara me fruth në Shqipëri u konstatuan tek fëmijë të pavaksinuar, me prindër praktikantë të fesë myslimane, të cilët shpesh e kundërshtojnë vaksinimin.
Por në emër të Komunitetit Mysliman, nënkryetari Taulant Bica, thekson se mos vaksinimi nuk lidhet me fenë apo besimin islam, por me mungesën e informacionit, që kanë individë të caktuar.
Teoritë konspirative, por dhe mungesa e informimit çon në mos vaksinim. Duke folur për AlbaniaWeb.net, jo vetëm si përfaqësues i këtij komuniteti, ku thekson se është pro vaksinimit, por edhe si prind, Bica u shpreh se fëmijët e tij i ka vaksinuar, sipas kalendarit të detyrueshëm të vaksinimit.
“Përtej fesë, unë mendoj se kjo vjen nga mungesa e informacionit, si nga ana mjekësore ashtu edhe fetare. Ka dhe besimtarë që si pasojë e mungesës së informacionit nuk janë vaksinuar. Por feja nuk është kundër vaksinimit. Nga ana fetare ne e kemi obligim të ruajmë jetën”, tha Bica.
Nënkryetari i Komunitetit Mysliman theksoi se çdo besimtar mban përgjegjësi për pasojat që i shkakton marrja e vendimeve të gabuara. Ndaj ai bën thirrje të gjithë besimtarëve për vaksinim, jo vetëm ndaj fruthit, por të ndjekin çdo rekomandim të mjekëve.
“I bëj thirrje në fillim autoriteteve mjekësore të informojnë sa më shumë dhe nga ana tjetër i bëj thirrje të gjithë qytetarëve dhe veçanërisht besimtarët, të dëgjojnë njerëzit e dijes. Në këtë rast mjekët… Këtë thotë feja”, këshillon Bica.
AlbaniaWeb.net