Wed, Nov 27, 2024

Senati publikon projektligjin e sigurisë që përfshin ndihma për Ukrainën dhe Izraelin

  • PublishedFebruary 5, 2024

Projektligji për sigurinë, i miratuar në Senat, përballet me një të ardhme të pasigurt, pavarësisht se për të u negociua për muaj të tërë. Projektligji përfshin miliarda dollarë për Ukrainën, Izraelin, si dhe kryerjen e reformave për të trajtuar kërkesat e mijëra azilkërkuesve që arrijë në SHBA nga kufiri me Meksikën.

Udhëheqësi i shumicës në Senat, demokrati Chuck Schumer vendosi që votimi fillestar të mbahet të mërkurën, duke thënë se përparësitë e projektligjit “janë aq të rëndësishme, sa nuk mund të injorohen dhe janë aq jetike, sa nuk mund të lejohet politika të hyjë në mes”.

Ai e quajti legjislacionin “një hap madhor drejt forcimit të sigurisë kombëtare të Amerikës jashtë dhe përgjatë kufijve të vendit”.

Menjëherë pasi projektligji u publikua të dielën në mbrëmje, kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, republikani Mike Johnson e quajti atë të papranueshëm, duke thënë se, nëse miratohej nga Senati, ku demokratët kanë shumicën dhe shkonte në Dhomën e Përfaqësuesve, me shumicë republikane, projektligji “do të ishte i vdekur pa arritur ende”.

Për Ukrainën, projektligji përfshin 60 miliardë dollarë për të mbështetur luftën e saj kundër agresionit rus, ndërsa Izraeli do të merrte 14 miliardë dollarë ndihmë për sigurinë. 10 miliardë dollarë do të ndaheshin për ndihma humanitare për civilët në zonat e konfliktit si Ukraina, Rripi i Gazës dhe Bregu Perëndimor.

2.4 miliardë dollarë të tjerë do të financonin përpjekjet ushtarake të SHBA-së kundër militantëve huthi në Detin e Kuq, ndërsa 4.8 miliardë dollarë do të mbështesnin vendet partnere që përballen me agresionin kinez në Indo-Paqësor.

Negociatorët në Senat kanë përfshirë në të disa nga përparësitë e Presidentit Biden, si rifillimin e dërgesave amerikane të municioneve dhe raketave në Ukrainë. Republikanët këmbëngulën që projektligji të përfshinte gjithashtu masa për të trajtuar mijëra njerëz që kalojnë ilegalisht kufirin jugor të Shteteve të Bashkuara.

Republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve dhe ish-Presidenti Donald Trump i kanë kritikuar përpjekjet e Senatit se nuk po bëjnë sa duhet për të trajtuar sigurinë në kufirin SHBA-Meksikë.

“Ky projekt-ligj është edhe më i keq nga sa prisnim dhe nuk nuk bën asgjë për t’i dhënë fund katastrofës kufitare që Presidenti ka krijuar”, tha zoti Johnson në rrjetin social X.

Presidenti Biden përshëndeti projektligjin e Senatit, duke thënë se ai “përfshin grupin më të ashpër dhe më të drejtë të reformave kufitare në dekada”.

“Republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve duhet të vendosin, a duan ta zgjidhin problemin, apo duan të vazhdojnë të luajnë politikë me kufirin?” tha Presidenti Biden në një deklaratë. “Unë e kam marrë vendimin tim. Unë jam gati ta zgjidh problemin. Unë jam gati të siguroj kufirin.”

Pjesa e reformave për kufirin përfshin një proces më të ashpër dhe më të shpejtë për azilkërkuesit për të gjykuar kërkesat e tyre. Ata që kalojnë shqyrtimin fillestar, kualifikohen për leje pune. Intervistat për azil do të bëheshin brenda disa ditësh pas arritjes, ndërsa vendimet përfundimtare do të merreshin brenda disa muajsh. Aktualisht, i gjithë procesi mund të zgjasë me vite.

Përveç kësaj, në ditët kur mesatarja pesëditore e kalimeve të paligjshme kufitare kalon 5000 në ditë, presidenti do të kishte autoritetin të dëbonte automatikisht ata që kalojnë ilegalisht pa u dhënë atyre mundësinë për të bërë një kërkesë për azil. Emigrantët, megjithatë, do të lejohen të shkojnë në pikat e rregullta kufitare për të kërkuar azil.

Udhëheqësi i pakicës në Senat, republikani Mitch McConnell shprehu mbështetjen e tij për legjislacionin, duke thënë se Senati duhet “të përgatitet për të vepruar”.

“Sovraniteti i Amerikës po sprovohet brenda vendit dhe besueshmëria jonë po sprovohet nga kundërshtarë të guximshëm në mbarë botën”, tha zoti McConnell në një deklaratë. “Sfidat me të cilat përballemi nuk do të zgjidhen vetë dhe as kundërshtarët tanë nuk do të presin që Amerika të tregojë vendosmëri për t’i përballuar ato.”

Disa informacione për këtë artikull u morrën nga agjencitë e lajmeve ‘Associated Press’ dhe ‘Reuters’.