Wed, Nov 27, 2024

“E morët në qafë Berishën që i thotë ‘mos shko në SPAK’”/ Zbardhet debati pa media në grupin e PD, Sula: Ka të drejtë Lindita! Salianji: Ngujim ose grevë urie

  • PublishedFebruary 6, 2024

Deputetët demokratë ende nuk po gjejnë mes tyre një rrugë të përbashkët për mënyrën se si do të bëhet bashkimi mes Rithemelimit dhe mbështetësve të Gazment Bardhit, ndërkohë që po kaq paqartësi kanë edhe për aksionin në Kuvend.

Në mbledhjen me dyer të mbyllura, të zhvilluar dje, deputeti Dashnor Sula ka bërë përgjegjës, mbështetësit e afërt të Berishës, të cilët sipas tij e kanë këshilluar ish-kryeministrin të mos paraqitet në SPAK dhe tani janë përballë situatës kur ai ndodhet në arrest shtëpie.

Ndërsa lidhur me aksionin në Kuvend ka folur Ervin Salianji, që deklaroi se “ose duhet ta radikalizojmë në ngujim apo grevë urie, ose diversifikim”.

Debati pa media

Gazment Bardhi: Ne sikurse e kemi deklaruar edhe më parë, kemi qenë dhe jemi të gatshëm të gjejmë një zgjidhje për situatën politike ku ndodhet vendi, ndërkohë që nga maxhoranca marrim si kundërpërgjigje përjashtimin e deputetëve të opozitës. Nuk ka asnjë reflektim nga ata, edhe pse na kanë mohuar të drejtat tona kushtetuese, ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare si dhe kanë mohuar vullnetin e shumicës për përfaqësi në Komisionin e Reformës Zgjedhore.

Fatmir Mediu: Ne kemi bërë tashmë publik propozimin tonë për krijimin e një federate dhe drejt kësaj duhet të ecim. Sa i përket reformës zgjedhore, opozita duhet të ketë propozimet e saj të cilat t’u paraqiten deputetëve për ti shqyrtuar. Ne i qëndrojmë listave të hapura, rikthimit të koalicioneve parazgjedhore dhe votës së emigrantëve.

Lindita Metaliaj: Ne duhet te bashkohemi jo vetëm këtu ne grup, por edhe në bazë. Kështu siç jemi, nuk frymëzojmë, madje edhe njerëzit nuk janë optimiste kur e shohin situatën të tille. Prandaj të bashkuar mundemi të dalim edhe te mbështetësit tanë, te qytetarët, se ndryshe as njerëzit nuk na presin më.

Dashnor Sula: Juve e morët më qaf Berishën. Juve i thatë Berishës mos shko të paraqitet në SPAK. Ka të drejtë Lindita kur thotë që s’na besojnë më njerëzit.

Ervin Salianji: Ne duhet të mblidhemi dhe të mos dalim pa gjetur zgjidhje për bashkimin, ose t’ua them troç; nëse mendoni si t’ia hidhni njeri tjetrit për të fituar kohë e kemi gabim, demokratët kërkojnë bashkim dhe ndryshim me pas. Sa i takon aksionit, ose duhet ta radikalizojmë në ngujim apo grevë urie, ose diversifikim.

Agron Gjekmarkaj: Epika dhe politika nuk janë e njëjta gjë, edhe pse ne e përdorim shpesh të parën, duke menduar se bëjmë të dytën. Para se te shkojmë te përshkallëzimi, i cili nuk është qellim në vetvete, por realizimi i kërkesave tona duhet te krijojmë një mundësi komunikimi qe te kenë zë edhe ndërkombëtarët.

Le t’i riformulojmë kërkesat për komisione hetimore, si dhe atë për ribërje te ligjit për to ku ne të jemi pjesë.
Pastaj nëse nuk ka asnjë reflektim ata qe kane deklaruar se janë te gatshëm te sakrifikojnë me akte sublime le ta bëjnë atë. Në fund, publikut i duhet shpjeguar drejtësia e përpjekjes, vullneti për ta bërë atë. Në optikën time do ishte mirë që brenda këtij segmenti të jemi dhe të flasim për amnistinë penale, mos ta anashkalojmë. Mund te humbasësh ose se arrin atë, po se paku merr dakordësinë e shoqërisë. Nuk jam votuar për gladiator, gjeja ka një limit pastaj Rama po e vazhdon axhendën e vet dhe duket sikur po i pëlqen axhenda jonë.

Dhurata Çupi: Unë mendoj se na duhet një vendim i Grupit Parlamentar për të riparë qëndrimin që kemi në raport me Kuvendin. Ndërsa Rama ka nisur fushatën për 2025 ne vazhdojmë merremi me veten dhe me Kuvendin.


AlbaniaWeb.net