Futbollisti kroat nën urdhrat e Shehit, dy rikthime të rëndësishme qetësojnë trajnerin para derbit
Partizani nisi dje përgatitjet për ndeshjen e së shtunës ndaj Dinamos, shumë e rëndësishme për momentin që po kalojnë të kuqtë. Ndaj bluve do të kërkohet vetëm fitorja, me trajnerin Shehi, që duhet të korrigjojë disa gjëra pas barazimit me Egnatian.
Nën drejtimin e Shehit ishin të gjithë lojtarët, përfshirë edhe afrimi i fundit, Bozho Mikuliç. Kroati dje ka kryer seancën e parë nën drejtimin e Shehit, ku krijoi idenë e një lojtari me cilësi, që mund ta ndihmojë ekipin. Me ardhjen e tij, Mikuliç kërkon të bëhet një partner për Sotën prej faktit se luan me të majtën.
Trajneri Shehi mund të vuajë mungesën e Magetit në këtë sfidë, por sheh t’i rikthehen dy senatorë të mesfushës si Mehmeti dhe Murataj. I riu nga Vushtrria vuan një problem në kavilje, që besohet se deri të shtunën do të jetë tejkaluar, ndërsa Murataj kthehet nga pezullimi prej kartonëve.
Albers Keko ende e ka të hapur plagën në këmbë dhe nuk po stërvitet. Edhe sulmuesi nga Divjaka e ka thuajse të sigurt mungesën në derbin me Dinamon. Nga ana tjetër, shanse ka për Bintsuka, që mund të luajë disa minuta nëse gjendja fizike e tij do të vijë në rritje dhe nuk do të ketë probleme.