Denoncoi se u kërcënua me jetë dhe siguroi mbrojtje nga KLGJ, por letrën e shkroi vetë/ Pezullohet nga detyra gjyqtarja Arnisa Këlliçi
Këshilli i Lartë Gjyqësor ka pezulluar nga detyra gjyqtaren Arinsa Këlliçi, e cila nga denoncuese, u kthye në subjekt hetimi që i kushtoi vendin e punës.
Më 20 janar emri i gjyqtares së gjykatës së Tiranës, Arnisa Këlliçi iu shtua listës së njerëzve të drejtësisë që merren në mbrojtje pas kërcënimeve, por hetimet e prokurorisë së Tiranës zbuluan se gjyqtarja në fjalë e ka sajuar të gjithë ngjarjen.
Prokuroria e Tiranës mori të pandehur gjyqtaren për veprat penale kallëzim të rreme dhe falsifikim të dokumentave, lidhur me denoncimin e bërë prej saj mbrëmjen e 20 janarit në komisiariatin numër tre të Tiranës ku pretendonte se kishte marrë me postë një letër kërcënuese ku i kërkohej të mendonte për fëmijët e saj. Burime të AlbaniaWeb.net pohojnë se gjyqtarja kishte ngritur dyshime se pas kërcënimit fshihej një koleg prokuror.
Ndërsa Këshilli i Lartë Gjyqësor vuri në mbrojtje, gjyqtaren dhe familjen e saj, prokuroria nisi hetimet për të zbuluar kush ishin personat që kishin kërcënuar gjyqtaren. Organi i akuzës mori dëshmi, këqyri e kamerat e sigurisë në gjykatë dhe zyrën e Arnisa Këllicit, kreu një akt ekspertimi grafik të letrës kërcënuese dhe krijoi bindjen me prova se gjyqtarja e ka shkruar vetë letrën në zarfin që kish vënë mbi tavolinën e zyrës së saj, për qëllime ende të panjohura.
AlbaniaWeb.net