Thu, Nov 28, 2024

Bankat shqiptare shënojnë rekord fitimesh nga rritja e interesave

  • PublishedFebruary 8, 2024

në Shqipëri realizuan fitime neto në masën 28.5 miliardë lekë [rreth 280 milionë euro] gjatë vitit 2023, bëhet e ditur nga të dhënat e publikuara nga . Fitimet e vitit të kaluar përbëjnë një rekord absolut historik si në vetvete, ashtu edhe në raport me kapitalin aksioner apo në raport me asetet, gjë që do të thotë se bankat janë në gjendje të vjelin më shumë fitime neto përkundrejt parave të investuara në këto sipërmarrje apo parave të menaxhuara nga këto sipërmarrje. Rezultati i jashtëzakonshëm duket se i detyrohet fitimeve të shtuara nga rritja e normave bazë të interesit në Shqipëri, të cilat, gjatë dy viteve të fundit, janë shoqëruar me një rritje edhe më të lartë në normat e interesit të titujve të borxhit publik, ku bankat kontrollojnë pjesën më të madhe të tregut.

Në Shqipëri kryejnë aktivitet njëmbëdhjetë banka, të cilat kanë bashkërisht asete në masën 1.96 trilionë lekë [rreth 19 miliardë euro]. Bankat më të mëdha në vend sa i përket aseteve janë BKT, , dhe Bank.

Sa i përket tregut të kredive, Credins është banka më e madhe pasuar nga Raiffeisen dhe BKT. Në tregun e titujve, ku dominojnë në mënyrë dërrmuese titujt e borxhit publik, BKT renditet e para me 38%, pasuar nga Raiffeisen me 13% dhe Credins me 12%. Në tregun e depozitave, BKT është më e madhja me 25%, pasuar nga Credins me 17% dhe Raiffeisen me 16%.

Fitime rekord

Të dhënat e raportuara nga Shoqata e Bankave, një grup lobimi me anëtarë vetë bankat, tregojnë se të njëmbëdhjetë bankat e nivelit të dytë e mbyllën vitin e kaluar me fitime, ndërsa bankat mbyllën degë apo agjenci dhe rritën numrin e punonjësve. Asetet e menaxhuara nga bankat u rritën me 5% gjatë vitit të kaluar, kapitali aksioner u rrit me 8%, ndërsa fitimet u rritën me 19%. (Në shifrat e aseteve duhet të kihet parasysh shkalla e rritjes është ndikuar nga efekti i kursit të këmbimit, ku, për shkak se llogaritë mbahen në lekë, asetet në valutë të huaj konvertohen në më pak lekë).

Bankat realizuan bashkërisht një normë kthimi mbi kapitalin aksioner në masën 22% gjatë vitit të kaluar, nga 14.2% që ishte në vitin 2022 dhe më pak se 10% që ishte në dekadën paraardhëse. Pjesa më e madhe e fitimeve i takoi BKT me 23.4%, pasuar nga Raiffeisen me 22.8% dhe OTP Albania me 11.7%. Në mënyrë të ngjashme, kthimet mbi asetet ishin 2.2% vitin e kaluar nga 1.3% që ishin në vitin 2022.

Fitimet e shtuara të bankave duket se kanë ardhur në pjesën më të madhe nga rritja e interesave të borxhit publik. Bonot e thesarit 12 mujore, të cilat përbëjnë një pjesë thelbësore të të gjithë titujve të borxhit publik në Shqipëri, patën mesatarisht një interes prej 3.6% vitin e kaluar, nga 3.2 në vitin 2022 dhe 1.76 në vitin 2021. Rritja e interesave të borxhit publik ka rëndësi vendimtare për fitimet e bankave për shkak se në tituj, bankat investojnë 40% të të gjitha aseteve të tyre.

Normat e interesit në ekonomi u rritën me synimin për të luftuar inflacionin. Sipas teorisë, kur BSH rrit interesat bazë, interesat e kredive dhe të depozitave rriten, duke diskurajuar kreditorët të marrin borxh dhe duke nxitur kursimtarët të depozitojnë, duke ulur sasinë e parasë në qarkullim dhe rrjedhimisht, duke ftohur kërkesën për mallra e shërbime dhe duke ngadalësuar rritjen e çmimeve.

Gjithsesi, të dhënat e Bankës së Shqipërisë dhe Shoqatës së Bankave tregojnë se rritja e interesave ka qenë shumë e fortë te borxhi publik, ndërsa ka qenë jo aq e madhe në tregun e kredive dhe akoma më e vogël në atë të depozitave. Kështu, ndërsa interesat e titujve afatshkurtër të borxhit publik janë dyfishuar, interesi i kredisë në lekë në fund të dhjetorit për segmentin e huamarrësve individë ishte 6.4%, me një rritje të lehtë përkundrejt dhjetorit të vitit 2021, pra periudhës para fillimit të rritjes së interesave, kur ishte 6.15%.

Diskordanca, pra rritja tepër e shpejtë e interesave të borxhit përkundrejt rritjes së paktë të interesave të kredive dhe të depozitave, tregon se konkurrenca në tregun e borxhit publik është shumë disfunksionale në krahasim me tregun e kredive. Ky dekfet në treg nuk sjell vetëm fitime të majme për bankat, por në instancë finale sjell edhe rritje të ngadaltë të ekonomisë, për shkak se paratë të cilat bankat do të duhej t’i rrezikonin në kreditimin e ekonomisë së gjerë, i depozitojnë në borxhin publik pa rrezik dhe me interesa edhe më të larta nga sa do të fitonin në sektorin me rrezik më të lartë të kreditimit të biznesit apo të individëve.