Sterilizimi, nën sekuestro prona të sipërmarrësit Rrapaj
Në Shqipëri, Prokuroria e Posaçme njoftoi sot se Gjykata kishte miratuar kërkesën e saj për vënien nën sekuestro preventive të disa pasurive të sipërmarrësit Ilir Rrapaj, aksioneri kryesor i kompanisë “Sani Service”, fituese vite më parë e kontratës së Partneritetit Publik-Privat (PPP) për sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale në strukturat spitalore shtetërore. Vendimi i gjykatës është marrë që më 22 Janar, por vetëm sot ai u bë publik nga ana e Prokurorisë.
Biznesmeni Rrapaj u arrestua në gusht të vitit të kaluar së bashku me ish zëvendësministrin e Shëndetësisë Klodian Rrjepaj, si dhe një grup zyrtarësh të tjerë, anëtarë të komisionit që vlerësoi ofertën për kontratën e sterilizimit. Në muajin nëntor, Prokuroria njoftoi se nën hetim ishte vendosur dhe ish ministri i Shëndetësië Ilir Beqaj, të cilit iu komunikua dhe masa e sigurisë “Ndalim i lëvizjes jashtë vendit” dhe “Detyrim paraqitje”.
Sipas njoftimit të sotëm, nën sekuestro është vënë paketa prej 40 përqind e aksioneve të shoqërisë “Sani Service” Shpk, si dhe shoqëria “Investital Llc”, e regjistruar në Agjensinë e Biznesit në Kosovë, me anë të së cilës sipërmarrësi Rrapaj, u përfshi në konsorciumin që fitoi koncensionin. Një tjetër kompani “Globalsher”, ku Rrapaj rezulton aksioner i vetëm, po ashtu ka kaluar nën sekuestro, së bashku me pronat e saj: një apartament, 13 automjete si dhe dy llogari bankare, në njërën prej të cilave ishin depozituar mbi 285 mijë euro.
Koncensioni i sterilizmit u përfshi qysh në fillim nga dyshime, polemika dhe dritëhije të shumta, pasi Rrapaj, sapo e kishte themeluar kompaninë e tij “Investal LLC” në Prishtinë, ndërsa prej vitesh jetonte në Umbria të Italisë, ku drejtonte një kompani të vogël ndërtimi.
Dyshime të tjera lindën lidhur me vlerën e kontratës, e cila bazohej në një numër të caktuar operacionesh kirurgjikale, duke rritur kostot për buxhetin e shtetit. Kompanisë fituese i ishte dorëzuar dhe një qendër moderne sterilizimi, ndërtuar në Qendrën Spitalore Nënë Tereza me kredi nga qeveria, por ajo nuk u vu asnjëherë në funksionim.