Pensione edhe me Greqinë, zv.ministrja e Ekonomisë: Dakordësia është arritur por duhet edhe vullneti politik për ta realizuar
Shqipëria ka arritur që të finalizojë 16 marrëveshje me shtete të tjera sa I përket njohjes së përbashkët të kontributeve për sigurimet shoqërore.
Ndër këto, përfshihen edhe vende të zhvilluar si Gjermania apo Austria, që ndihmojnë emigrantët shqiptarë tu bashkohen vitet e kontributeve.
Por, një nga marrëveshjet më të shumëpritura pas Italisë, është edhe ajo me Greqinë, ku përllogaritet të jenë 700 mijë deri në 1 milion shqiptarë. Zv.ministrja e Ekonomisë, Olta Manjani thotë se kjo është në fokusin e qeverisë dhe se janë hedhur hapat e para në këtë drejtim
“Kemi hedhur një hap të parë shumë pozitiv në këtë drejtim, pasi shumë vitesh përpjekje, pala grek ka pranuar që të ulet në tryezë me palën shqiptare dhe gjatë viti 2023 ne kemi bërë dy takime të nivelit teknik, një takim në Tiranë dhe një në Athinë për të prezantuar skemat përkatëse të sigurimeve shoqërore për të parë nëse përputhen dhe kanë standarte të njëjta dhe kemi marrë një konfirmim mjaft të mirë nga pala greke që aktualisht skema shqiptare e sigurimeve jo vetëm përputhet, por është edhe e një niveli mjaft të lartë. Tani mbetet vetëm që ta shtyjmë procesin politikisht, pala shqiptare e ka gati grupin negociator dhe shumë shpejt do t’i bëjë një kërkesë zyrtare Athinës për të filluar negocimin e marrëveshjes”, tha Olta Manjani-zv.ministre e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
Ndërkohë, marrëveshja e sapofinalizuar me Italinë sipas znj.Manjani do të lehtësojë procedurat për përfitimin e pensionit nga dy shtetet
“Emigranti shqiptar që jeton në Itali për të përfituar kontributet që ai ka derdhur në Shqipëri nuk është nevoja që të vijë në Shqipëri. Këtë gjë mund ta bëjë nëpërmjet një aplikimi sipas rregullave të shteti italian. Kjo është një marrëveshje që redukton shumë kosto sepse nuk ka nevojë as për përkthim, noterizim apo apostilim të këtyre dokumenteve madje në marrëveshje thuhet që aplikimi mund të bëhet dhe në gjuhën e shtetit të origjinës. Ndërkohë edhe për përfitimin e pensionit nuk do duhet që të vijë në Shqipëri për ta tërhequr”, tha ajo.
Marrëveshja e pensioneve të përbashkëta me Italinë do të jetë në ndihmë të rreth 500 mijë emigrantëve shqiptarë, që tashmë nuk do të digjen më nga skema e sigurimeve për shkak të mospërmbushjes së viteve minimale të kontributeve.
AlbaniaWeb.net