Tue, Nov 26, 2024

Vendet e NATO-s trysni Hungarisë për të miratuar anëtarësimin e Suedisë

  • PublishedFebruary 9, 2024

Vendet e NATO-s po shtojnë trysninë ndaj kryeministrit hungarez Viktor Orban për miratimin me shpejtësi të anëtarësimit të Suedisë në aleancë, pasi deputetët e partisë së tij refuzuan të votojnë në parlament për këtë çështje javën e kaluar.

Suedia ka paraqitur kërkesën për anëtarësim që pas sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës në vitin 2022, por Hungaria e ka shtyrë vazhdimisht ratifikimin.

Hungaria ka qenë anëtare e NATO-s për 25 vite dhe është tashmë i vetmi vend që po bllokon anëtarësimin e Suedisë në aleancë.

Parlamenti i Hungarisë është tashmë në periudhë pushimi, por deputetët e opozitës u mblodhën në një sesion të jashtëzakonshëm të hënën për të votuar kërkesën e Suedisë për anëtarësimin në NATO. Megjithatë, deputetët e partisë në pushtet Fidesz, të kryeministrit Viktor Orban, refuzuan të marrin pjesë.

Tompos Marton është ndër deputetët e opozitës që kërkuan votimin.

“Nga njëra anë mund të themi që ishte një kalkulim i gabuar, se ata (partia Fidesz) thjesht nuk e kapën rrjedhën e zhvillimeve, nuk e kuptuan situatën. Nga ana tjetër është e kuptueshme se i vetmi person që përfiton nga kjo është Vladimir Putini. Orbani i ka bërë atij tashmë disa favore. Dhe përse jo edhe një tjetër?”, thotë Tompos Marton, deputet i Partisë Momentum.

Vendet aleate në NATO po shtojnë trysninë. Ambasadori amerikan David Pressman foli pasi vëzhgoi sesionin e të hënës në parlament.

“Kryeministri Viktor Orban premtoi të mbledhë parlamenti për t’i bërë thirrje të veprojë sa më shpejt. Sot ishte mundësia për ta bërë këtë dhe ne po e ndjekim këtë me vëmendje duke shpresuar që Hungaria të veprojë me shpejtësi”, tha ambasadori Pressman.

Senatori amerikan Ben Cardin, kryetar i Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, tha më herët këtë javë se Hungaria është anëtarja më e paqëndrueshme në NATO dhe se Uashingtoni duhet të shqyrtojë mundësinë e sanksioneve dhe kufizimeve ndaj udhëtimit.

Gjermania tha të martën se miratimi nga Hungaria i anëtarësimit të Suedisë është “çështje besnikërie” ndaj NATO-s.

Zoti Orban nuk ka bërë kërkesa konkrete, por ka sinjalizuar pakënaqësinë me Suedinë për kritikat ndaj hapave pas të demokracisë në Hungari.

Zoti Orban thotë se deputetët e partisë së tij Fidesz duan që kryeministri suedez të vizitojë Budapestin përpara se të miratojnë anëtarësimin e vendit të tij në NATO.

“Nëse është e rëndësishme për suedezët, atëherë qartazi duhet të vijnë në Budapest. Apo të paktën të marrin hapa për të sjellë miratimin e anëtarësimit me vullnetin e lirë të deputetëve hungarezë”, tha Gergely Gulyas, shefi i kabinetit të kryeministrit hungarez.

Kryeministri i Suedisë tha se do ta vizitojë Budapestin, por vetëm pasi të jetë bërë votimi dhe se dy çështjet nuk duhet të trajtohen të ndërlidhura.

“Partia Fidesz dhe Orbani e futën veten në një rrugë pa krye. Dhe me sa duket nuk janë në gjendje ta kuptojnë gabimin, pasi tashmë mendoj se e vendosën veten kaq shumë në qendër të vëmendjes, sa është më e vështirë dalja nga situata pa u turpëruar. Mendoj se Orbani nuk do ta lërë situatën të kalojë pa marrë ndonjë lloj vlerësimi publik”, thotë analisti politik Peter Kreko.

Parlamenti i Hungarisë pritet të rikthehet nga pushimet në 26 shkurt. Por nuk është e qartë nëse, apo kur, mund të bëhet votimi për anëtarësimin e Suedisë në NATO./VOA


AlbaniaWeb.net