Ditë të mira për turizmin! Rritet numri i personave të huaj që vizitojnë kryeqytetin
Tirana po përjeton ditët e saj më të mira turistike me vizita nga të huajt që gjithnjë e më shumë u shtohet interesi për të njohur kryeqytetin shqiptar.
“Jemi nga Skocia. Donim të vizitonim një vend të ri dhe erdhëm në Tiranë. Sa herë iu thoshim miqve tanë që do ikim në Tirane na thoshin oh është një vend vërtet i bukur ndaj dhe ne erdhëm. Ne kemi disa ditë këtu dhe moti është fantastik. Tirana qenka një miksim mes ndërtesave të vjetra dhe ndërtesave moderne, mjaft interesante. Do t’ua u rekomandojmë dhe të njohurve tanë për ta vizituar”, thotë një turist.
Mes artikujve të shumë që i kushtohen vendit tonë nga mediat e huaja si një destinacion që duhet vizituar në 2024, ndër më të fundit është ai i “Travel of the Path” që Tiranën e cilëson si një vend plot gjallëri e me kosto të ulët.
“Që nga pjesa e shërbimeve te pjesa e kualitetit të ushqimit, të njerëzve, të guidave dhe në fakt dhe te pjesa e çmimeve sigurisht që është një kompetitor shumë i mirë me kryeqytetet e tjera europiane. Padiskutim ka disa fasha çmimesh duke filluar nga ata që janë backpackers që gjejnë hapësirën e tyre e deri tek ata që preferojnë gjera pak më shumë kualitative dhe preferojnë të shpenzojnë më shumë kështu që unë mendoj që Tirana i ka të gjitha që çdo turistë mund të ketë mundësi që të zgjedhë“, shprehet drejtoresha e promovimit të qytetit, Mirel Koçollari.
Nëse më parë turistët vinin nga fundi i marsit, tashmë situata është krejt ndryshe, pasi që nga viti i kaluar, i hasim cdo ditë në rrugët e kryeqytetit. Ndaj për këtë arsye, kryeqytetit do ti shtohet dhe një tjetër pikë ku të huajt do të mund të marrin informacione të ndryshme për qytetin.
“Ne kemi një Infopoint të bashkisë së Tiranës ku presim të gjithë turistët që vijnë në Tiranë dhe japim informacion për të gjithë pjesën turistike dhe atraksionet turistike të Tiranës. Jemi duke projektuar edhe një shtëpizë të vogël që do të jetë një Infopoint në sheshin “Skënderbej” sepse është i papërballueshëm në fakt fluksi dhe vetëm një zyrë nuk arrin dot që ti përballojë”, shpjegon Koçollari.
Pas një viti me 10.1 milion turistë, Shqipëria këtë vit pritet të ketë një fluks edhe më të madh të huajsh, që do të zgjedhin që pushimet e tyre t’i kalojnë pranë natyrës shqiptare.
AlbaniaWeb.net