Fri, Nov 29, 2024

Indianët e Vlorës/ Prej disa vitesh jetojnë dhe punojnë në qytetin bregdetar

  • PublishedFebruary 10, 2024

Të huajt që kanë zgjedhur Vlorën për të punuar janë vendosur si në fshatra ashtu dhe në qytet, të përfshirë në bujqësi, blegtori apo dhe në fabrika.

Në fshatin Çeprat të Vlorës janë punësuar disa pakistanezë në blegtori, ndërkohë që dhe në një  fabrikë metali në Vlorë gjen indianë. Ata tregojnë për AlbaniaWeb.net se e kanë lënë vendin e tyre për shkak të pamundësisë për të gjetur punë.

“Po jemi shumë mirë këtu. Jam këtu prej 2 vitesh. Tirana dhe Vlora janë qytete të bukura”.  

“Kam ardhur 2 vite më parë dhe punoj në këtë fabrikë metali. Jam i kënaqur, edhe pagën e kemi të mirë. Jam nga India dhe jemi 5 persona që vijmë nga i njëjti vend, India. Pse e lamë Indinë dhe erdhëm këtu?  Sepse këtu ka punë e atje jo”.

Të përshtatur me Vlorën, 5 punëtorët indianët jetojnë në lagjen “11 Janari” dhe janë të lumtur që Shqipëria u ka hapur dyert.

“Prej 2 vitesh kemi ardhur në Shqipëri pasi në Indi nuk kemi mundësi  punësimi. Jemi të kënaqur me punën dhe pagesën.Punëdhënësi na paguan gjithçka. Shqiptarët kanë zemër të mirë.Ndihemi si në shtëpinë tonë”.

“Kam lënë familjen në Indi  dhe kam 2 vjet këtu në Vlorë, në këtë fabrikë metali.Gjithçka shkon shumë mirë. Do të vazhdojmë të punojmë këtu, pasi në Indi është vështirë për punë”.

“Mungesa e fuqisë shqiptare të punës ka detyruar këtë zgjedhje .Ndërkohë punëtorët nga India janë korrektë e të disiplinuar dhe shumë miqësorë”, tha administratori Marko Shehaj.

Punëtorët nga India janë ndër mbi 8 mijë shtetas të huaj që punojnë në vendin tonë ku prej vitesh tregu i punës ka mungesa të mëdha punëtorësh kryesish në bujqësi, turizëm dhe biznese.


AlbaniaWeb.net