Fri, Nov 22, 2024

“Kosova duhet të bëjë kujdes”/ Ekspertët: Nuk duhet të bëhen ndërkombëtare çështjet e brendshme

  • PublishedFebruary 10, 2024

Gjatë së enjtes, vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës për ndalimin e pagesave me para të gatshme me dinar u diskutua edhe në Këshillin e Sigurimit në Kombet e Bashkuara.

Një gjë e tillë u pa si e dëmshme për Kosovën e ku kërkua nga udhëheqësit që të shtohet kujdesi që çështjet e brendshme të mos diskutohen në nivele aq të larta.

“Kosova duhet të jetë e kujdesshme diplomatikisht që çështjet e brendshme të mos i shndërrojë në çështje ndërkombëtare ose në çështje kryesore të shteteve evropiane në krye me SHBA-të“, shprehet Profesori i së Drejtës në Universitetin e Prishtinës, Flamur Hyseni.

Kjo seancë e thirrur nga Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç sipas njohësve ishte tendencë e qartë e shtetit serb për ta paraqitur Kosovën si shtet diskriminues, gjë që nuk qëndron pasi faktet qëndrojnë në anën e Kosovës.

“Një seancë e Këshillit të Sigurimit të cilën e përdor Aleksandar Vuciç pse mundet dhe për ta shtyrë narrativën e tij në forumin më të lartë të botës e që ka të bëjë me tendencën e tyre për ta paraqitur Kosovën si shtet diskriminues“, thotë njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Arben Fetoshi.

Por, ajo ç’ka mbetet shqetësuese janë mesazhet që Kosova mori nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e që konsiderohet se duhet të dëgjohen me vëmendje.

“E ka definuar të gjithën ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës krejt atë çka ka ndodh në seancë e ç’ka duhet të ndodhë mes palëve, pra në procesin e dialogut, e bëri të qartë në pak minuta që po, ka kritika ndaj Kosovës, por ua bëri të qartë Serbisë që ka dështu e duke i thënë që Radojciçin e ka të lirë në Serbi dhe tha se vendi për këto çështje është Brukseli”, shpjegon Fetoshi.

Banka Qendrore e Kosovës ka vënë në fuqi nga një shkurti rregulloren që rikonstaton se euro është valuta e vetme për pagesa në vend, po me këtë vendim nuk është pajtuar bashkësia ndërkombëtare dhe as qytetarët serbë që përdorin valutën e Serbisë dinarin. Për ta, institucionet e kanë mundësuar një fazë tranzitore për tu informuar për ndryshimet.


AlbaniaWeb.net