Ndryshon ligji i Gardës/ Komandanti zgjidhet me konkurs! Personalitetet nën ruajtje, nëse janë në rrezik
Dorëheqja javën e shkuar e Gramoz Sakos si komandant i gardës dhe nevoja për ta zëvendësuar, ka detyruar shumicën socialiste të përfshihet në amendimin e ligjit për Gardën e Republikës.
Ndryshimet e propozuara që mbajnë firmën e Nasip Naços, kryetar i Komisionit parlamentar të sigurisë, disponohen nga gazetari i AlbaniaWeb.net, Muhamed Veliu.
Është e nevojshme, thotë Nasip Naço, të përcaktohen kushtet dhe kriteret për përzgjedhjen e drejtorit të përgjithshëm të Gardës së Republikës, me qëllim shndërrimin e këtij procesi në një proces konkurues e meritokratik.
“Drejtuesi i Gardës së Republikës, duhet t’i jetë nënshtruar një procesi konkurues, ndërmjet kandidatëve më të mirë që plotësojnë këto kritere, siç janë parashikuar në projektligj. Vetëm nëpërmjet kësaj mënyre, sigurojmë një drejtues që ka vizionin dhe aftësitë për t’ju përgjigjur nevojave të sigurisë që Garda e Republikës”, thotë Naço.
Megjithëse ky propozim nga Nasip Naco synon një proces të ri e konkurrues për zgjedhjen e kreut të Gardës, nga ligji aktual për zgjedhjen e kreut të Gardës, hiqet një prej kriteri kryesor i “të qenurit punonjës i Gardës që mban gradën “Drejtues i parë” ose “Drejtues i lartë”.
Por shtohet një tjetër. Personat që do të përfshihen në garë për postin e kreut të ri të Gardës duhet të kenë përvojë pune jo më pak se 10 (dhjetë) vjet në fushën e rendit ose sigurisë.
Gjatë ditëve të fundit, është artikuluar në media si pasues i Gramoz Sakos një ish-zyrtar i SHISH dhe më pas i punësuar në Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes e më pas i u punësuar si drejtor sigurie në një kompani private.
Nasip Naço gjithashtu propozon ndryshime për kohëzgjatjen e ruajtjes së personaliteteve të tjera dhe banesave të tyre, pas përfundimit të mandatit. Aktualisht Garda ka nën ruajtje vetëm dy ish-zyrtarë. Ish-presidentin Ilir Meta dhe ish-kreun e Kuvendit, Gramoz Ruci.
Ndërsa nën ruajtje sot ka mbi 100 zyrtarë të lartë për të cilët me këtë ndryshim ligjor propozohet të mos ketë mbrojtje automatikisht pas lënies së detyrës, por të ketë mbrojtje vetëm në ato raste kur i rrezikohet jeta ose shëndeti, i tyre ose i familjes së tyre, për shkak të detyrës së mëparshme që kanë kryer.
AlbaniaWeb.net