Fri, Nov 29, 2024

Presidentja e Hungarisë jep dorëheqjen lidhur me rastin e abuzimit seksual në shtëpinë e fëmijës

  • PublishedFebruary 10, 2024

Presidentja e Hungarisë, Katalin Novak, dha dorëheqjen të shtunën pas trysnisë në rritje për faljen e një të burgosuri që kishte ndihmuar në fshehjen e abuzimit seksual në një shtëpi fëmijësh.

Presidentja Novak, një aleate e ngushtë e kryeministrit konservator Viktor Orban, fali rreth njëzet të burgosur në prill të vitit 2023, mes tyre zëvendësdrejtorin e shtëpisë së fëmijës, i cili e ndihmoi ish-drejtorin e institucionit që të fshihte krimet e tij.

Katalin Novak

Katalin Novak

“Bëra gabim… Sot është dita e fundit që ju drejtohem si presidente”, tha zonja Novak ndërsa njoftoi dorëheqjen gjatë një fjalimi të transmetuar në televizionin shtetëror.

“Prillin e kaluar mora vendimin për ta falur një të dënuar, duke besuar si ai nuk i kishte abuzuar fëmijët e pambrojtur që mbikëqyrte. Dyshimet mbi tolerancën zero ndaj pedofilisë ishin me vend për shkak të gabimit të faljes dhe mungesës së arsyetimit”, tha ajo.

Këtë javë partitë opozitare kërkuan dorëheqjen e presidentes lidhur me rastin në fjalë. Të premten rreth një mijë demonstrues u mblodhën para zyrës së zonjës Novak duke bërë thirrje për largimin e saj nga posti.

Në një përpjekje për të frenuar dëmin politik, kryeministri Orban, partia e të cilit “Fidesz” po fillon fushatën zgjedhore për Parlamentin Evropian, paraqiti në parlament mbrëmjen e së enjtes një amendament kushtetues, që i heq të drejtën presidentit që të falë individë që kanë kryer krime kundër fëmijëve.

Në këtë çështje është e përfshirë edhe Judit Varga, një figurë e rëndësishme e partisë në pushtet, e cila miratoi faljen gjatë kohës që shërbente në postin e Ministres së Drejtësisë. Zonja Varga pritej të kryesonte listën e kandidatëve të partisë Fidesz në zgjedhjet për Parlamentin Evropian që zhvillohen në qershor.

Përmes një postimi në rrjetin Facebook, zonja Varga njoftoi tërheqjen nga jeta politike duke dhënë dorëheqjen si deputete dhe marrë përgjegjësinë për vendimin.