NBA/ Minnesota mbetet lidere në Perëndim, Warriors marrin fitoren e pestë radhazi (VIDEO)
Në ndeshjet e fundit të NBA pati disa përballje pretendentësh në të dyja konferencat. Në Perëndim, Minnesota mban kreun e renditjes, pasi mposhti 121-100 Los Angeles Clippers, që mbante vendin e dytë, por humbja e zbret në të tretin.
Ndeshje e komanduar nga miqtë, ku u dalluan Towns me 24 pikë e Edwards me 23 pikë. Edhe njëherë tjetër Minnesota tregoi se nuk është më një surprizë, teksa di të fitojë bindshëm edhe jashtë fushe ndaj një ekipi rival dhe pretendent.
Fitore jashtë fushe mori edhe Golden State, që mund 129-107 Utah Jazz. Suksesi i pestë radhazi për Warriors, që ngjiten në vendin e 10-të në zonën play-in. Dyshja Curry-Thompson realizoi 51 pikë, duke marrë për dore ekipin në një transfertë të vështirë.
Në Lindje, Milwaukee nuk zhgënjen para tifozëve të tij, duke mundur 112-95 kampionët në fuqi të Denver. Antetokounmpo ishte protagonist për Bucks, duke realizuar 36 pikë e 18 rebound, ndërsa 29 pikët e 12 rebound të Jokic për miqtë mbetën për statistikë.
Përballje e fortë ishte edhe ajo mes Cleveland dhe Philadelphia-s, me këtë të fundit që fitoi 123-121. Një ndeshje plot rivalitet mes dy skuadrash pretendente në Lindje, ku për miqtë funksionoi kolektiviteti, duke i bërë të pavlefshme 36 pikët e Mitchell për vendasit.
()