Fri, Nov 29, 2024

Senati miraton 95.3 miliardë dollarë ndihma për Ukrainën, Izraelin dhe Tajvanin

  • PublishedFebruary 13, 2024

Senati amerikan miratoi të martën herët në mëngjes një paketë ndihme prej 95.3 miliardë dollarësh për Ukrainën, Izraelin dhe Tajvanin, pas muajsh negociatash të vështira dhe mes ndasive politike në rritje në Partinë Republikane mbi rolin e Shteteve të Bashkuara në arenën ndërkombëtare.

Ligjvënësit e miratuan paketën me 70 vota pro dhe 29 kundër, duke tejkaluar pragun e 60 votave të nevojshme. Tani projekt-ligji shkon në Dhomën e Përfaqësuesve.

22 republikanë iu bashkuan shumicës së demokratëve, duke votuar në favor të projekt-ligjit.

“Kanë kaluar vite dhe ndoshta dhe dekada, që kur Senati ka miratuar një projekt-ligj që ndikon në përmasa të tilla jo vetëm tek siguria jonë kombëtare, jo vetëm tek siguria e aleatëve tanë, por edhe tek siguria e demokracisë perëndimore”, tha udhëheqësi i shumicës demokrate në Senat, Chuck Schumer.

Chuck Schumer

Chuck Schumer

Votimi në Senat u zhvillua para agimit, pasi tetë republikanë të linjës së ashpër, që janë kundër ndihmës për Ukrainën, mbajtën një maratonë fjalimesh gjatë natës, gjë që shtyu votimin për më shumë se gjashtë orë. Ata argumentojnë se Shtetet e Bashkuara duhet të përqëndrohen tek problemet e tyre, në vend që të dërgojë më shumë fonde jashtë vendit.

Por përkrahësit e projekt-ligjit thonë se braktisja e Ukrainës do të përforconte pozitat e presidentit rus Vladimir Putin dhe të kërcënonte interesat e sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara në të gjithë globin.

“Me këtë projektligj, Senati dërgon mesazhin se udhëheqja amerikane nuk do të tërhiqet, nuk do të lëkundet, nuk do të dështojë”, tha senatori Schumer, i cili punoi ngushtë me udhëheqësin republikan në senat, Mitch McConnell për legjislacionin.

Mitch McConnell

Mitch McConnell

Por megjithë miratimin në Senat, paketa përballet me një të ardhme thellësisht të pasigurt në Dhomën e Përfaqësuesve, ku republikanët e linjës së ashpër që mbështesin ish-Presidentin Donald Trump – kandidati kryesor për emërimin e partisë së tij për president dhe një kritik i mbështetjes për Ukrainën – e kundërshtojnë projekt-ligjin.

Kryetari Mike Johnson tha të hënën në mbrëmje se mund të duhen javë ose muaj që Kongresi të dërgojë legjislacionin në tryezën e Presidentit Joe Biden, madje ekziston mundësia që të mos miratohet fare.

Presidenti demokrat Joe Biden i ka kërkuar prej muajsh Kongresit që të përshpejtojë ndihmën e re për Ukrainën dhe partnerët e SHBA-së në Indo-Paqësor, përfshirë Tajvanin. Pas sulmit të Hamasit në Izrael më 7 tetor, ai kërkoi gjithashtu miratimin e fondeve për aleatin e SHBA-së, si edhe për ndihmë humanitare për palestinezët në Gazë.