Thu, Nov 28, 2024

Sporti shqiptar në zi, ndahet nga jeta ish-kampioni i Tiranës

  • PublishedFebruary 13, 2024

Një lajm i hidhur për sportin shqiptar. Ndahet nga jeta legjenda e mundjes, Petrit Hajdari. Ish-sportisti i Tiranës mbylli sytë në moshën 60-vjeçare, duke lënë sportin shqiptar në zi.

Kujtojmë që Hajdari ka qenë një nga emrat më të njohur të sportit të mundjes në vendin tonë, teksa është shpallur edhe kampion si sportist i Tiranës. Ndërsa në një postim në profilin e tij zyrtar në Facebook, ish-kreu i KOKSH-it, Viron Bezhani i jep lamtumirën ish-kampionit të Tiranës.

“U prehsh në paqe miku im Petrit Hajdari! Sot më duhet t’i them lamtumirë nga Dardha e Korçës, mundësit të shquar, mikut, sportistit dhe kolegut tim të mirë Petrit Hajdari. Një humbje e madhe për të gjithë komunitetin e mundjes, jo vetëm atij të Tiranës por edhe të gjithë mundjes shqiptare për atë çfarë ka dhënë ky sportist për këtë sport. Respekti e mirënjohja ime shkon për kujtimin e këtij mundësi jo vetëm për atë që ka dhënë por edhe atë që ka transmetuar te brezat e rinj. Faleminderit nga zemra për gjithçka që i ke dhënë këtij sporti, duke qenë i bindur se për këtë kontribut të madh nuk do të harrohesh kurrë. Lamtumirë, Petrit Hajdari, nderi i mundjes tiranase”, shkruan Bezhani.

AlbaniaWeb.net