De Buryne “çmonton” Copenhagen, Guardiola nuk e fsheh lumturinë: U treguam të zotë
Me statusin e kampionit në fuqi, Man.City shkëlqen në transfertë përballë Copenhagen, rezervon një biletë për në fazën çerekfinale pas suksesit 3-1 në transfertë. Pep Guardiola shijon një super De Bruyne, me belgun që ishte në versionin e tij më të mirë në këtë mbrëmje, duke shënuar një gol dhe duke dhuruar dy asiste, njeriu i ndeshjes.
Në minutën e 10-të, pas një aksioni të bukur, De Bruyne i shërbyer në zonë nga Foden gjeti cepin e portës duke kaluar “qytetarët” në avantazh. Danezët u rikthyen në lojë në minutën e 34-të, me Mattsson që dërgoi topin në rrjetë me një goditje shumë të bukur. Pjesa e parë dhuroi emocione deri në fund, teksa në shtesë, Bernardo Silva i shërbyer nga De Bruyne riktheu edhe një herë Man.City në avantazh. Për të mbyllur praktikisht llogaritë me Copenhagen mendoi Foden, me yllin anglez që në minutën e 92-të shënoi edhe golin e tretë:
“U treguam të zotë, e luajtëm ndeshjen me ritmin e duhur, i lejuam shumë pak një ekipi jashtëzakonisht të organizuar. Na bën të lumtur të sjellim në shtëpi në rezultat të tillë. A na ka bërë fitimi i Champions League më të fortë? Të fitosh Champions të bën të vetëdijshëm për forcën që ke, por kështu ka qenë prej vitesh, ne jemi gjithnjë aty duke treguar forcën tonë ndeshje pas ndeshje”, u shpreh Guardiola duke mos kursyer fjalët e mira edhe për Kevin De Bruyne.
()