Wed, Nov 27, 2024

Amerikanëve “u soset” durimi: Kosovës mesazh për dinarin, Serbisë për Radoiçiçin!

  • PublishedFebruary 16, 2024

Në një deklaratë të lëshuar për Kosovën dhe Serbinë, misioni i SHBA-së në OSBE përcolli ankesa për të dyja palët.

Teksa kujtoi se Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për arritjen e një paqeje të qëndrueshme në Ballkanin Perëndimor, deklarata nënvizon se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është një aspekt thelbësor i stabilitetit dhe prosperitetit rajonal. Por që kjo  të arrihet, duhet angazhim në mirëbesim përmes dialogut “ të ndërmjetësuar nga BE-ja me qëllim forcimin e demokracisë, integrimin ekonomik në bllokun europian si dhe për të nxitur bashkëpunimin dhe respektin shumetnik”.

Vërejtja për Prishtinën lidhej me çështjen e dinarit serb, ndërsa ajo për Beogradin theksonte dështimin e Serbisë për të veshur me përgjegjësi autorët e sulmit terrorist në Banjskë.

“Vendimi i njëanshëm i Kosovës për të kufizuar importimin e dinarit serb nuk i ndihmon këto objektiva. I bëjmë thirrje Kosovës që të shtyjë menjëherë zbatimin e këtij vendimi dhe palët e përfshira të kërkojnë zgjidhje në kuadër të Dialogut. Ne jemi gjithashtu thellësisht të shqetësuar për veprimet e fundit dhe të pakoordinuara që ka ndërmarrë Qeveria e Kosovës, duke përfshirë bastisjet e institucioneve të mbështetura nga Serbia dhe mbylljen e shërbimeve në të cilat mbështeten qytetarët e Kosovës. Këto veprime nuk janë në përputhje me përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për të adresuar në mënyrë konstruktive çështjet që prekin komunitetin e pakicës serbe në Kosovë përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja”.

“Ndërkohë, dështimi i Serbisë për të kërkuar përgjegjësi nga autorët e sulmeve të 24 shtatorit pranë Manastirit të Banjskës në Kosovë është i pandërgjegjshëm dhe dëmton thellësisht besimin e nevojshëm për normalizim. Menjëherë pas atyre sulmeve, ne i bëmë thirrje Serbisë që ta hidhte një hap të tillë, dhe fatkeqësisht, këtë thirrje tani na duhet ta përsërisim sërish sot”, thuhet ne deklaratën e misionit të SHBA-së.


AlbaniaWeb.net