Autoritetet ruse nuk lejojnë nënën e Navalnit të marrë trupin e djalit të saj
Nënës së udhëheqësit të opozitës ruse Alexei Navalny të hënën iu mohua hyrja në një morg ku besohej se mbahej trupi i tij. Alexei Navalny vdiq në burgun “Ujku Polar” në Arktik. Autoritetet thanë se shkaku i vdekjes së zotit Navalny të premten nuk është përcaktuar ende. Kjo ka nxitur spekulime se po bëhen përpjekje për të fshehur arsyen e vërtetë pse vdiq zoti Navalny. Kritiku i ashpër i Kremlinit vdiq të premten në moshën 47 vjeçare në koloninë penale të Arktikut, ku po vuante një dënim 19-vjeçar me akuzën për ekstremizëm.
Lyudmila Navalnaya, nëna e udhëheqësit opozitar rus Alexei Navalny, udhëtoi rreth 2,000 kilometra nga Moska për në koloninë e burgut të izoluar në qytetin Kharp të shtunën, por iu tha se trupi i tij nuk ishte aty.
Më pas ajo u dërgua në një morg, por zyrtarët atje gjithashtu ia mohuan kërkesën për të marrë trupin e djalit të saj.
Aleatët e zotit Navalny akuzuan autoritetet se po përpiqen të fshehin provat.
Autoritetet thanë se shkaku i vdekjes së zotit Navalny të premten nuk është përcaktuar ende dhe refuzimi i tyre për t’ia dorëzuar trupin familjes ka nxitur spekulime se autoritetet ruse mund të jenë të prirura për ta mbajtur trupin në një përpjekje për të fshehur provat mbi shkaqet e vdekjes.
Zoti Navalny ishte 47 vjeç. Ai vdiq të premten në koloninë penale të Arktikut, ku po vuante një dënim 19-vjeçar me akuzën për ekstremizëm.
Shumë udhëheqës botërorë, përfshirë Presidentin Joe Biden fajësuan udhëheqësin rus, Vladimir Putin për vdekjen e kundërshtarit të Kremlinit.
“Putini është përgjegjës për vdekjen e Navalnyt. Kjo është një provë tjetër e brutalitetit të Putinit”, tha Presidenti Joe Biden pasi u dha lajmi për vdekjen e kritikut të zëshëm të Presidentit rus, Putin.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov kritikoi të hënën deklaratat e “e ashpra” dhe “të papranueshme” të udhëheqësve perëndimorë që bëjnë presidentin Vladimir Putin përgjegjës për vdekjen e zotit Alexei Navalny.
“Këto deklarata sigurisht që nuk mund t’i shkaktojnë asnjë dëm kreut të shtetit tonë. Por, absolutisht nuk iu ofrojnë asnjë të mirë atyre që bëjnë deklarata të tilla”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Peskov.
E veja e Navalnit, Yulia Navalnaya, tha në një video-mesazh të hënën se ajo do të vazhdojë punën e burrit të saj dhe do të luftojë për një Rusi të lirë.
Vdekja e kritikut më të madh të presidentit rus e ka privuar opozitën ruse nga politikani i saj më i njohur dhe më frymëzues më pak se një muaj para zgjedhjeve që pritet t’i japin Presidentit Vladimir Putin një mandat tjetër gjashtë vjet vjeçar.