Betejë pa kthim në të gjithë vendin
Në Shqipëri, pas muajsh të gjatë përplasjesh në parlament, opozita mblodhi mbrëmjen e së martës mbështetësit e saj përpara selisë së qeverisë, në një protestë e cila siç deklaroi ish kryeministri Sali Berisha “inauguron sot misionin tonë në Tiranë dhe mbarë Shqipërinë, betejën pa kthim të mosbindjes civile kundër diktaturës së dytë” të kryeministrit Edi Rama. Gjatë protestës nuk munguan incidentet. Në përfundim të fjalës së zotit Berisha, shishe të shumta me lëndë djegëse fluturuan drejt godinës së qeverisë, e po ashtu dhe copa guri nga disa vazo që u thyen nga protestuesit. Përpjekjet për të çarë gardhin metalik, nuk shkuan më tej, dhe nuk u rregjistruan përplasje me policinë e cila nuk ndërhyri për asnjë moment.
Zoti Berisha ju drejtua protestuesve përmes një lidhjeje të drejtpërdrejtë nga shtëpia e tij, ku prej fundit të vitit të kaluar ai është në arrest shtëpie, pasi refuzoi të respektonte vendimin e gjykatës së posaçme për “detyrim paraqitje” dhe “ndalim të lëvizjes jashtë vendit”. Zoti Berisha është nën hetim, nën dyshimet për korrupsion lidhur me procedurat e privatizimit të ish kompleksit sportiv Partizani.
Opozita zgjodhi të protestonte në një ditë simbol për historinë e pluralizimit në Shqipëri, ditën kur 33 vjet më parë në Tiranë u rrëzua busti i diktatorit Enver Hoxha. Duke hequr paralele me këtë datë zoti Berisha theksoi se mesazhi që përcillet është se “populli opozitar do i rezervojë diktaturës së dytë, domethënë narkoshtetit të Edi Ramës, fatin që meriton, fatin që i rezervuam diktaturës komuniste 33 vite më pare”.
Protesta u mbajt në një konteskt të ri zhvillimesh brenda opozitës. Pas gati dy vitesh përplasjesh të forta, që çuan në copëzimin e e Partisë Demokratike, forcës kryesore të së djathtës, tanimë janë ravijëzuar dy linja, nga njëra anë zoti Basha, i mbetur me një numër të kufizuar deputetësh, por që ka në dorë siglën dhe vulën zyrtare të PD-së, dhe nga ana tjetër Rithemelimi, apo grupimi i ish kryeministrit Sali Berisha, të cilit iu bashkangjitën dhe deputetët që mbështesin kreun e grupit parlamentar Gazmend Bardhi. Këta të fundit gëlltitën akuzat e forta që kishin shkëmbyer mes tyre në emër të asaj që e quajtën “bashkim në diversitet”, për të krijuar një front kundër shumicës socialiste të kryeministrit Edi Rama.
Bashkëpunimi mes tyre prej disa muajsh në parlament, u shoqërua me një përfshirje dhe në strukturat partiake. Sekretari i përgjithshëm i Rithemelimit Flamur Noka, dhe zoti Bardhi, hodhën pas shpine atë çfarë kishin thënë për njëri tjetrin, duke u shfaqur së bashku në bazën demokrate. Si zoti Noka, ashtu dhe zoti Bardhi ishin ndër folësit kryesor para manifestuesve në protestë.
Këtij bashkimi i bëri jehonë dhe zoti Berisha në fjalën e tij. “Sot, kur shqiptarët na shohin bashkë pas gjithë brutalitetit që na është bërë, kur shqiptarët na shohin bashkë pas konflikteve tona të brendshme, kur shqiptarët na shohin bashkë kaq shumë në numër, besimi rikthehet në çdo shtëpi, në çdo lagje, në çdo rrugë, në çdo fshat, në çdo qytet. Bashkimi i PD e ka futur politikën shqiptare në një epokë të re. Është ky unitet në diversitet që shqiptarët nuk e kishin arritur njëherë në 33 vite. Është ky unitet në diversitet, dhurata më e çmuar e PD për shqiptarët”, u shpreh zoti Berisha.
Mbetet të shihet se cili do të jetë aksioni i ardhshëm i opozitës, e cila për muaj të tërë ka provuar forma nga më të ndryshmet për të penguar zhvillimin normal të seancave parlamentare. Një qëndrim i cili sipas tyre është kushtëzuar nga sjellja e shumicës, pas refuzimit nga ana e saj të disa kërkesave për ngritjen e komisioneve hetimore, apo dhe të ndryshimit të përbërjes së Komisionit të Posaçëm të Reformës zgjedhore, ku kërkohet zëvendësimi i atyre deputetëve demokratë që janë me zotin Basha.