Wed, Nov 27, 2024

Ndërkombëtarët “rrëzojnë” Beogradin: S’ka prova për “spastrim” etnik serbësh në Kosovë

  • PublishedFebruary 20, 2024

Asnjë organizatë ndërkombëtare përfshirë ato të sigurisë, deklaroi Nisma Europiane për Stabilitet, nuk ka parë ndonjë dëshmi për pretendimet e Beogradit se në Kosovë ka “spastrim etnik të serbëve”.

Në një raport me titullin “Pogromet e sajuara – statistikat, gënjeshtrat dhe konfuzioni në Kosovë”, organizata kujton se në korrik të vitit 2023 presidenti serb Aleksandar Vuçiç, deklaroi se NATO-ja dhe OKB-ja kishin katërmbëdhjetë ditë për të çarmatosur forcat policore të Kosovës dhe për të mbrojtur serbët e Kosovës nga “pogromet dhe spastrimi etnik” i vazhdueshëm i shqiptarëve, përndryshe, “dikush tjetër” do të duhej ta bënte këtë.

Raporti i cituar nga VOA, vëren se paralajmërimet se Serbia mund të ketë nevojë të dërgojë trupa në Kosovë për të mbrojtur serbët nuk janë të reja, duke iu referuar një deklarate të presidentit serb Vuçiç të gushtit të vitit 2018, në të cilën e kishte përshkruar Kosovën si një fuçi baruti.

“Të gjithë do të presin një mundësi për të goditur tjetrin për të arritur një avantazh në terren. Dhe çdo ditë do të shqetësohemi nëse do të na sulmojnë në veri, ku do të na godasin, me mbështetjen e kujt…”, kishte thënë president serb.Mirëpo, në deklaratat e vitit 2018 argumentohej se nëse serbët sulmohen në Kosovë, Serbia do t’i mbrojë ata.

Që nga viti 2023, deklaratat argumentojnë se serbët tani janë të sulmuar dhe duhet të mbrohen, thuhet në raportin e Nismës e cila në fund të korrikut të vitit 2023 kishte thënë se ky është një kërcënim serioz për paqen në Ballkan. Disa muaj më vonë, paraushtarakët serbë sulmuan policinë e Kosovës në veri, kujton raporti, sulmin e 24 shtatorit të vitit 2023 të një grupi serbësh të armatosur që vranë një pjesëtarë të policisë së Kosovës.


AlbaniaWeb.net