Migrantët, parlamenti shqiptar miraton marrëveshjen Rama-Meloni
Në Shqipëri, parlamenti miratoi sot marrëveshjen për migrantët nënshkruar nëntorin e vitit të kaluar në Romë nga kryeministri Edi Rama dhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni. Në votim, 74 votave të shumicës socialiste, iu bashkuan dhe ato të 3 deputetëve të Partisë për Drejtësi, Unitet dhe Integrim, të cilët vunë në dukje mbështetjen që Italia i ka dhënë ndër vite Shqipërisë.
Deputetët demokratë të cilët e kanë kundërshtuar marrëveshjen, nuk morën pjesë në votim, ndërsa pas seancës kreu i grupit parlamentar Gazmend Bardhi tha se Protokolli mes dy vendeve “është në shkelje të interesit publik dhe cënon sigurinë kombëtare”.
Zoti Bardhi ishte ndër firmëtarët e kërkesës drejtuar Gjykatës Kushtetuese për anullimin e marrëveshjes, due pretenduar se dokumenti do të duhej të ishte firmosur duke marrë më parë autorizimin nga Presidenti i Republikës, dhe se po ashtu ishte në shkelje të Konventave ndërkombëtare në të cilat Shqipëria bën pjesë.
Gjykata Kushtetuese pezulloi fillimisht procedurat parlamentare për ratifikimin e marrëveshjes, ndërsa shqyrtoi përmbajtjen e saj, duke u shprehur në fund të janarit. Ajo rrëzoi kërkesën e deputetëve të opozitës, duke vlerësuar se nuk kishte shkelje të kushtetutës.
Organizata të ndryshme ndërkombëtare të mbrojtjes të së Drejtave të Njeriut kanë ngritur shqetësime lidhur me Protokollin Rama-Meloni, për rrezikun e shkeljes të të drejtave të migrantëve dhe shkeljes së Konventave ndërkombëtare. Marëveshja parashikon ngritjen dy qendrave, në portin e Shëngjinit dhe në Gjadër, ku do të priten migrantët që nisen nga brigjet e Afrikës Veriore e që kapen nga anijet italiane.
Pas votimit në parlament kryeministri Rama në një postim në rrjetet sociale shkroi se “Shqipëria mbështet Italinë dhe vepron si një vend anëtar i BE-së, duke rënë dakord të ndajë një barrë që Evropa duhet ta përballojë e bashkuar si një familje, përballë një sfide që kapërcen ndarjet tradicionale të majta dhe të djathta” sipas tij “asnjë vend nuk mund ta zgjidhë një sfidë të tillë i vetëm, asnjë retorikë apo zgjidhje e shpejtë nuk mund të zvogëlojë vështirësinë e kësaj sfide dhe asnjë lavdi e vjetër apo mënyrë demode e të menduarit, nuk mund të na shpëtojë nga përballja me atë që po vjen në të gjitha frontet. Vetëm një Evropë më e fortë, më e guximshme dhe më sovrane besnike ndaj vetvetes, mundet”, përfundon postimin e tij zoti Rama.