Thu, Nov 7, 2024

“S’ka lidhje telefoni, kur ke futur mitralozin…”/ Gazetari rrëfen si u bllokua në SPAK: Më mbyllën me çelës, morën 3 vendime brenda 1 ore

  • PublishedFebruary 22, 2024

Gazetari Elton Qyno ka rrëfyer se si u bllokua në SPAK.

 Qyno: Rasti im është më i paprecedenti që ka ndodhur në Shqipëri që nga viti 1991. Sigurisht që është rasti i zotit Frangaj dhe Leka që u arrestuan dhe pas 4-5 ditësh u liruan, por unë u bllokova për disa orë dhe më pas pati një operacion blic ku u sekuestrua dhe bllokua çdo gjë. Madje më bllokuan edhe çelësin e makinës, a thua se burimet e mija ndodheshin tek çelsi i makinës. Unë e kam marrë atë mesditën e natës tjetër.

Duma: Si ndodhi si procedurë?

Qyno: Unë kam hyrë brenda në SPAK me ftesë të një Oficeri të Policisë Gjyqësore për t’u njohur me një urdhër për ndalim të publikimit të informacionit. Nuk kam hyrë as për t’u thirrur si dëshmitarë, as për të dorëzuar telefona apo materiale. Më kanë ftuar për tjetër gjë dhe përfundoi për tjetër gjë. Së dyti, edhe pse më është kërkuar një deklarim, sërish kam shprehur vullnetin të tregoj ato të dhëna që kam shprehur në atë deklarim. Dhe sapo kam mbaruar deklarimin, duke qenë se nuk kam treguar burimin se nga e kam marrë, është insistuar që unë të dorëzoja telefonin. Ka diçka që, nuk jam vetëm unë që hyjë pa telefon në SPAK sepse Prokuroria e Posaçme nuk lejon asnjë gazetar të hyjë në ato ambiente me telefon. Edhe në konferencat për shtyp na bëhet me dije në mesazhin zyrtar se nuk lejohen telefonat të futen në konferencë. Më bën çudi në fakt që lejohen kamerat dhe jo telefonat sepse nuk ka asnjë lidhje telefoni, kur ti ke futur mitralozin. Gjërat përshkallëzuan deri në atë pikë sa u bë kontrolli i banesës që është akti më i rëndë që mund t’i ndodhë një gazetari në Shqipëri. SPAK zgjodhi strategji në rastin tim. Më thirrën dhe bllokuan aty brenda, mu mbyll edhe dera me çelës dhe unë mbeta aty brenda deri në atë pikë sa, unë rrija në kat të dytë, në katin e parë mbaheshin procese gjyqësore. Për një orë janë lëshuar tri vendime kontrolli kundër meje.

Duma: Kush të përfaqësoj ty në ato procese?

Qyno: Askush. Unë isha lartë në katin e dytë. Poshtë bëhej gjyqi.

Karamuço: Mbyllja e derës me çelës është heqje e paligjshme e lirisë. Përbën vepër penale.


AlbaniaWeb.net