Mon, Nov 4, 2024

Duhet te Konsumoni apo Jo Ushqim Para Analizave?

  • PublishedFebruary 23, 2024

Ka disa teste gjaku, ku nuk ju kërkohet të jeni esëll dhe ka të tjera që kërkojnë të mos konsumoni asgjë për një periudhë të caktuar kohe përpara testimit.

Respektimi i këtyre udhëzimeve nga mjeku juaj është shumë i rëndësishëm për të bërë një lexim të saktë të analizave tuaja.

Cilat janë testet e gjakut që kërkojnë të jeni pangrënë?

Janë tre teste kryesore që kërkojnë të jeni pa ngrënë, ato janë testi i glukozës, i kolesterolit dhe i hekurit.

Ekzaminimi i kolesterolit kërkon që ju të qëndroni pa ngrënë për të paktën 9 deri në 12 orë përpara se të kryeni testin e gjakut por edhe të mos keni konsumuar alkool 24-orë përpara analizës.

Sipas ekspertëve të fushës, para se të kryeni një test për nivelet e hekurit ju duhet të qëndroni pa ngrënë 5-orë.

Glukoza është një tjetër test që kërkon të qëndroni pa ngrënë për 8 orë.

Cili është qëllimi?

Për shkak se trupat tanë janë të ndryshëm, një standard i caktuar i vlerave të lipideve kur jeni pa ngrënë është i nevojshëm për të përcaktuar se cilat nivele të glukozës, kolesterolit dhe hekurit janë të pashëndetshme.

Kur jeni esëll, nivelet e gjakut normalizohen. Ngrënia ose pirja e diçkaje që përmban sheqer përpara një testi të glukozës mund të rrisë nivelet e saj në gjak, duke dhënë rrezultate jo të sakta.

E njëjta gjë vlen edhe për analizat e gjakut për hekurin dhe kolesterolin. Ekspertët shpjegojne se ngrënia para testit të kolesterolit rezulton në një rritje prej 20 deri në 30 %  të niveleve të kolesterolit në gjak. Konsumi i alkoolit para testimit rrit ndjeshëm trigliceridet.

Ekzaminimi i plotë kimik

Një ekzaminim i plotë kimik i jep mjekut tuaj një paraqitje të shkurtër të shëndetit tuaj të përgjithshëm.

I njohur gjithashtu si Chem-20, SMAC-20 ose SMA-20, ekzaminimi i plotë kimik përfshin 20 ekzaminime të ndryshme që nga albumina deri tek acidi urik.

Glukoza dhe kolesteroli shpesh përfshihen në këtë listë. Përgatitjet për kontrollin e plotë kimik varen nga ajo për të cilën mjeku juaj kontrollon.

Edhe pse disa ekzaminime të plota kimike mund të mos kërkojnë të rrini pa ngrënë, në disa rrethana të caktuara një mjek mund tju kërkojë të rrini pa ngrënë nga nëntë deri në 12 orë përpara testimit.

Megjithatë ekzaminimi i plotë kimik ju lejon të pini ujë në mëngjes para se të testoheni.

Medikamentet

Disa medikamente turbullojnë rezultatin e analizave të gjakut, duke ndryshuar rezultatin.

Për shembull, medikamentet për presionin e gjakut, pilulat e kontrollit të lindjes dhe disa kortikosteroide mund të ndikojnë në rezultatet e një testi gjaku.

Suplementet e hekurit mund të ndikojnë në testin e hekurit, steroidet anabolike, sulfonamidet dhe statinat mund t’i japin mjekut tuaj një rezultat të rremë.

Për të shmangur pasaktësitë AgroWeb.org ju këshillon të informoni mjekun tuaj për të gjitha medikamentet që merrni rregullisht./ AgroWeb.org