Wed, Nov 27, 2024

Osmani del kundër Kurtit për çështjen e dinarit: Pa bashkëpunim me aleatët s’kemi sukses!

  • PublishedFebruary 23, 2024

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani deklaroi se procesin e dialogut e ka dëmtuar më shumë mungesa e ekuilibrave ku njëra palë, Kosova, është nën masa tërësisht të padrejta siç tha ajo, ndërsa Serbia pavarësisht aktit të agresionit, nuk është përballur me asnjë sanksion.

Pavarësisht kësaj megjithatë, Osmani i mëshoi idesë se raportet me aleatët, duhet të ruhen.

“I inkurajoj të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës, e këdo që merret me politikë, të bëjë çmos që këto marrëdhënie veçanërisht ato me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretërinë e Bashkuar e vendet e BE-së të konsiderohen jo vetëm të rëndësishme, por ekzistenciale për suksesin e shtetit tonë…”, u shpreh presidentja, e cila për rëndësinë e partneritetit dhe aleancave përmendi edhe fjalimet e shefit të Shtëpisë së Bardhë, Joe Biden dhe sekretarit amerikan të shtetit, Antony Blinken për rëndësinë e partneritetit dhe aleancave, duke treguar se në të gjitha ato vërehet narrative e dëshirës për bashkëpunim.

“Nuk mundet Kosova të ketë asnjë sukses të qëndrueshëm pa bashkëpunimin dhe pa mbështetjen e aleatëve…Pra, edhe Kushtetuta edhe aleatët, nuk e përjashtojnë këto njëra-tjetrën”, tha Osmani.

Komentet e saj vijnë në një kur çështja e dinarit serb e ka rikthyer kryeministrin Albin Kurti në një kurs përballjeje me ndërkombëtaret e pakënaqur me vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës, i cili cënon, siç nxjerrin në pah ata, komunitetin serb. Pavarësisht thirrjeve të SHBA-së dhe BE-së megjithatë, Prishtina zyrtare nuk ka dhënë deri më tani sinjale për zbrapsje nga ky vendim.


AlbaniaWeb.net