Wed, Nov 27, 2024

419 ditët e rrënimit/ Kronologjia e një fundi të turpshëm për Dani Alvesh

  • PublishedFebruary 25, 2024

Çështja gjyqësore në ngarkim Dani Alvesh tashmë ka një vendim. Gjykata e Barcelonës e ka dënuar futbollistin brazilian me katër vjet e gjashtë muaj për agresion seksual. Një vendim që ka ardhur plot 419 ditë nga nata fatale midis 30 dhe 31 dhjetorit 2022 në klubin e natës Sutton në Barcelonë.

Pothuajse një vit e dy muaj më vonë, lojtari, i cili në karrierën e tij sportive ka bërë tituj të panumërt të suksesshëm, tashmë dënohet nga drejtësia. Gazeta “Marca” i ka bërë një kronologji të humbjes më të rëndë në karrierën e tij.

22 shkurt 2024: Dënimi – Dani Alvesh thirret në orën 10:30 në Gjykatën e Barcelonës për të dëgjuar vendimin. Gjykata e seksionit 21 ka thirrur gjithashtu avokaten e tij mbrojtëse, Ines Guardiola, avokaten e prokurorisë, Ester Garsia dhe prokuroren, Elisabet Himenez. Nuk është e zakonshme që të gjitha palët të thirren për të dëgjuar një vendim, pasi në rastet më pak të profilit të lartë komunikohet mburofaks.
7 shkurt 2024: përfundon gjyqi – Të mërkurën e 7 shkurtit përfundoi gjyqi në Gjykatën e Barcelonës. Seanca e parë ishte në mëngjes dhe dy të tjerat pasdite. Në të fundit foli Dani Alvesh, i cili u shpreh se marrëdhëniet kanë qenë konsensuale. Fjalimi i tij ndërpritej, herë pas here, nga lotët. Prokuroria private kërkoi dymbëdhjetë vjet burg, Prokuroria spanjolle 9, kurse mbrojtja shpalljen e pafajësisë.

5 shkurt 2024: deklarata e viktimës – Gjyqi filloi me dëshminë tronditëse të viktimës. Ajo dhe miqtë e sa këmbëngulën se viktima “nuk donte” të kishte marrëdhënie me lojtarin. Mediat nuk kishin akses në deklaratën e viktimës.

17 janar 2024: Alkooli në skenë – Dani Alvesh ndryshoi deklaratën e tij për autoritetet dhe siguroi se ishte nën efektin e alkoolit kur kreu përdhunimin. Mbrojtja e lojtarit u përpoq të provonte se futbollisti kishte pirë së tepërmi atë natë, një version i mbështetur nga miqtë e Alvesh dhe gruaja e tij, modelja dhe biznesmenja Joana Sanz.

17 prill 2023: ndryshimi i deklaratës së Alvesh – Dani Alvesh dëshmon në Barcelonë dhe më pas pohon se ka pasur penetrim vaginal. Në çdo rast, futbollisti brazilian këmbënguli se marrëdhëniet ishin plotësisht konsensuale.

21 shkurt 2023: s’ka liri me kusht – Braziliani kërkoi liri me kusht një muaj pasi kishte përfunduar në burg. Gjithsesi, drejtësia e mohoi për shkak të rrezikut të lartë të arratisjes. Potenciali ekonomik i brazilianit, fakti që vendi i tij nuk ka ekstradim me Spanjën funksionuan kundër tij.

20 janar 2023: Alvesh në burg – Dani Alvesh hyri në burg përkohësisht më 20 janar 2023. Ai ndryshoi dy institucione. Ditët e fundit doli në dritë fakti se braziliani ka kaluar një moment delikat emocional duke detyruar autoritetet të zbatojnë protokollin kundër vetëvrasjeve.

30 dhjetor 2022: Nata e “Sutton” – Natën ndërmjet 30 dhe 31 dhjetorit 2022 ndodhi gjithçka. Dani Alvesh, pasi darkoi me disa miq, doli me njërin prej tyre në klubin e natës “Sutton” në Barcelonë. Atje ai takoi viktimën dhe miqtë e saj dhe aty filloi një nga episodet më të errëta të jetës së tij./ PANORAMASPORT.AL

AlbaniaWeb.net