Sat, Nov 23, 2024

DOSJA/ Të pathënat e revoltës së Qafë Barit që tronditi regjimin komunist! Si Zylyftar Ramizi dhunoi për vdekje një të dënuar

  • PublishedFebruary 27, 2024

Gjyqi më voluminoz i fillimeve të demokracisë ka qenë ai ndaj 10 ish-zyrtarëve të lartë të regjimit komunist, përfshi ish-Presidentin Ramiz Alia, ish-kryeministrin Adil Çarçani dhe ish zv.ministrin e Brendshëm Zylyftar Ramizi.

Në botimin nga Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë “Gjyqet ndaj nomeklaturës komuniste 1993-1996” publikohet vendimi i plotë ku ndër të tjera tregohet sesi u rrah për vdekje një nga të dënuarit e revoltës së Qafë Barit, e më pas u raportua si vdekje për shkak të zemrës.

Më 22 maj 1984, Sandër Sokoli u rrah barbarisht  me komandë të Zylyftar Ramizit, bashkë me shokët e tij të dënuar në mes të kampit, por dhuna ndaj tij ishte fatale.

Më datë 22.5.1984, në Kampin e Riedukimit nr.311 Qafë-Bari, shpërtheu revolta e të dënuarve, pasi një nga të dënuarit nuk kishte realizuar normën dhe për këtë Komanda kërkonte që ai të dilte të punonte edhe në turnin pasardhës. Për këtë revoltë, Komanda e Repartit 311 ka njoftuar Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe mbi këtë bazë, i urdhëruar nga i pandehuri Hekuran Isai për të verifikuar gjendjen, është nisur për në Qafë-Bari me helikopter i pandehuri Zylyftar Ramizi së bashku me tre policë shoqërues. Gjithashtu ai ka urdhëruar të nisen për në Qafë-Bari edhe forcat e Repartit 326 Tiranë nëpërmjet rrugës
tokësore. Me të mbërritur në Qafë-Bari, ndonëse gjendja ka qenë e qetësuar, i pandehuri Zylyftar ka kërkuar shpjegime, ka veçuar “problematikët” dhe duke nxjerrë jashtë kampit policët efektivë të Repartit nr.311, ka urdhëruar forcat e Repartit nr.326 Tiranë të ushtrojnë dhunë mbi të dënuarit. Si pasojë e kësaj dhune, veç të tjerëve ka pësuar dëmtime të rënda dhe i dënuari Sandër Sokoli në pjesën e kokës, gjoksit, si dhe thyerjen e disa brinjëve.
Ky i dënuar së bashku me të dënuarit Dalip Zhaboli, Drago Vujosheviç, Hajredin Fratari, Nuredin Skrapari, Lazër Shkëmbi etj, me urdhër të të pandehurit Zylyftar Ramizi janë transportuar me një automjet 7 vendësh për në Degën e Punëve të Brendshme Pukë. Gjatë udhëtimit i dënuari Sandër Sokoli ka vdekur. Atë natë është njoftuar dhe mjeku ligjor, dëshmitari Pandush Gliozheni, i cili i imponuar dhe nën presionin e të pandehurit Zylyftar Ramizi ka lëshuar aktin e ekspertimit mjekoligjor Nr. 12 datë 25.5.1984, ku si konkluzion për shkaktimin e vdekjes ka vënë atë të ndalimit të zemrës, gjë e cila kërkohej edhe nga i pandehuri Zylyftar. Në të vërtetë, siç shpjegoi edhe dëshmitari Pandush Gliozheni, viktima në pjesën frontale të majtë të fytyrës kishte ekimoza dhe hematoma të shumta; gjatë hapjes së pjesës torakale, në anën e majtë të të kafazit të kraharorit ka konstatuar thyerjen e dy-tre brinjëve.
Sa më sipër u vërtetua në seancë gjyqësore me shpjegimet e dëshmitarëve Riza Musollari, Fiqiri Çakalli, Pandush Gliozheni, Dalip Zhaboli, Dedë Miri, me materialet e dosjes hetimore nr.56 të Hetuesisë së Rrethit Pukë dhe provat e tjera të marra e të administruara në seancë gjyqësore.
Në këto kushte i pandehuri Zylyftar Ramizi ka konsumuar tërësisht elementët e veprës penale të shpërdorimit të detyrës nëpërmjet mospërmbushjes së rregullt të saj, duke dhënë urdhra të kundërligjshëm për ushtrimin e dhunës fizike ndaj të dënuarve në Qafën e Barit në vitin 1984, veprime që kanë sjellë pasoja kriminale të vdekjes së shtetasit Sandër Sokoli. Gjithashtu këta elementë të kësaj figure krimi duken qartë edhe në veprimet që ka bërë ky i pandehur për mbulimin e shkaqeve të vërteta të ardhjes së këtyre pasojave kriminale.
Marrëdhëniet e prekura nga kjo vepër penale janë ato të vendosura për ruajtjen e jetës dhe të shëndetit të shtetasve. I pandehuri Zylyftar Ramizi është subjekt i kësaj figure krimi, pasi urdhrin për ushtrimin e dhunës dhe veprimet e tjera i ka kryer duke qenë në detyrën e zëvendësministrit të Punëve të Brendshme.
Nga ana subjektive vepra është kryer me dashje, pasi ky i pandehur i ka pasur të gjitha mundësitë dhe ka qenë i detyruar të parashikojë pasojat që mund të vinin nga ushtrimi i dhunës ndaj të dënuarve, nga persona të specializuar në këtë detyrë. Gjithashtu dashje në veprimet e këtij të pandehuri tregon edhe fakti që ai është përpjekur të mbulojë (dhe për një farë kohe ia ka arritur qëllimit), shkakun e vërtetë të vdekjes së shtetasit Sandër Sokoli.”-thuhet në dosje.


AlbaniaWeb.net