Ekstradohet nga Kosova në Shqipëri Gëzim Çela, ish-punonjësi i policisë i kthyer në narkotrafikant
Ish-oficeri i forcave speciale Gëzim Çela, i njohur ndryshe si ‘Baroni’ do të ekstradohet nga Kosova në Shqipëri për të vuajtur dënimin.
Ministria e Drejtësisë njofton se ekstradimi i tij do të bëhet me procedurë të thjeshtuar, dhe Gjykata Themelore Ferizajt ka lëshuar lejen, për shkak se Çela ka dhënë pëlqimin për t`u ekstraduar drejt Shqipërisë.
“Baroni i drogës” u vu në pranga në muajin dhjetor të vitit të shkuar në Kosovë, ku narkotrafikanti kishte gjetur strehim, ndërkohë që në Shqipëri u shpall në kërkim në gusht të këtij viti pasi nuk mundi te vihej dot në pranga gjatë operacionit “Flakë në det”.
Policia zbuloi se Gëzim Çela dhe grupi i tij i ndihmuar nga shefi i komisariatit të Kurbinit, Dritan Metaj, trafikonte kanabis nga zona e Fushë Kuqes drejt detit Adriatik ku në një Velierë e shkëmbente kanabisin me Kokainë.
Emri i Gëzim Çelës është ndër të parët e përmendur si trafikant droge në Shqipëri pasi këtë aktivitet e ka nisur që në vitet 90. Dikur ish punonjës policie, ai u shndërrua në kontaktin kryesor të shpërndarjes së heroinës në vend si dhe autor i kalimit të dhjetëra kilogramëve kokainë në Kosovë.
Më herët ai ka qenë i arrestuar për “shfrytëzim prostitucioni” dhe trafik ndërkombëtar droge”.
AlbaniaWeb.net