Shefi i NATO-s thotë se Aleanca nuk ka plane për dërgimin e trupave në Ukrainë
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se Aleanca nuk ka në plan të dërgojë trupa në Ukrainë, ndërsa disa vende Perëndimore mendohet se po shqyrtojnë dërgimin në terren të forcave ushtarake.
I pyetur nga agjencia e lajmeve “The Associated Press” mbi mundësinë e dërgimit të forcave perëndimore, zoti Stoltenberg tha se “nuk ka plane për dërgimin e trupave luftarake të NATO-s në Ukrainë”.
Kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico tha se disa vende po shqyrtojnë mundësinë, nëse duhet të arrijnë marrëveshje dy palëshe me Ukrainën për të dërguar trupa, për ta ndihmuar vendin të përballet me agresion rus. Zoti Fico nuk dha detaje të mëtejshme, por tha se qeveria e tij nuk planifikonte të dërgonte ushtarë. Edhe Republika Çeke e përjashtoi këtë mundësi.
Shefi i NATO-s, i tha gjithashtu agjencisë “The Associated Press” se “ajo që po ndodh është agresion i Rusisë ndaj Ukrainës, në shkelje të ligjeve ndërkombëtare. Sipas parimeve ndërkombëtare, Ukraina ka të drejtë të vetë-mbrohet dhe ne kemi të drejtën ta mbështesim atë në mbrojtjen e kësaj të drejte”.
NATO-ja si aleancë nuk e furnizon Ukrainën me mjete luftarake, por e mbështet me pajisje mjekësore, uniforma dhe pajisje për periudhën e dimrit. Por disa vende anëtare të NATO-s kanë dërguar armë dhe municione përmes marrëveshjeve bilaterale, apo shumëpalëshe. Çdo vendim që NATO-ja të dërgojë trupa duhet të mbështetet në mënyrë të njëzëshme nga të gjitha vendet anëtare.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron tha të hënën se dërgimi i trupave perëndimore në Ukrainë nuk duhet “përjashtuar” në të ardhmen, ndërsa po shënohet viti i tretë i sulmit në shkallë të gjerë nga Rusia.
“Duhet të bëjmë gjithçka që është e nevojshme që Rusia të mos e fitojë këtë luftë”, tha udhëheqësi i Francës, gjatë një takimi në Paris. Ndërsa nënvizoi se “tani për tani nuk ka konsensus” për dërgimin e trupave, ai tha se “asnjë mundësi nuk duhet përjashtuar”.
Ideja për dërgimin e trupave në terren, ka qenë një tabu deri më tani, veçanërisht pasi NATO-ja synon të shmangë përfshirjen në shkallë më të gjerë në luftë me Rusinë e armatosur me armë bërthamore.
Kremlini paralajmëroi sot se konflikti mes Rusisë dhe NATO-s së udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, do të ishte i pashmangshëm nëse vendet e NATO-s do të dërgonin trupa për të luftuar në Ukrainë.