A Mundet Mjalti të Përmirësojë Shëndetin e Zemrës? – Sasia që Rekomandohet
Pavarësisht nëse e preferoni në çaj apo për ta shoqëruar me ushqime të tjera, mjalti fal një sërë përfitimesh shëndetësore.
Ky ushqim mund të ndihmojë në qetësimin e kollës dhe dhimbjeve të fytit, në shërimin e plagëve dhe në lehtësimin e shqetësimeve gastrointestinale. E megjithatë, kjo nuk do të thotë që ju duhet ta konsumoni me tepricë.
Mjalti është i pasur me sheqer, prandaj konsumi i tepërt mund të rrisë nivelet e sheqerit në gjak dhe mund të çojë në shtim në peshë. Mënyra më e sigurtë për të korrur disa nga përfitimet për trupin dhe shëndetin tuaj të përgjithshëm mbetet konsumi në moderim.
Një studim i ri të cilit AgroWeb.org iu referua, zbuloi se si shëndeti juaj mund të përfitojë nga konsumi i mjaltit. Njihuni me të në vazhdim të artikullit.
Çfarë zbuloi studimi
Studiuesit në Universitetin e Torontos zbuluan se përfshirja e mjaltit në një regjim ushqimor të shëndetshëm reduktoi disa shkaktarë të sëmundjeve kronike. Përfitimet më të mëdha u korrën nga mjalti i papërpunuar, i prodhuar nga fermat ku bletët kanë akses në një burim të vetëm lulesh.
Këto gjetje ishin të papritura, duke marrë parasysh përmbajtjen e lartë të sheqerit dhe karbohidrateve të mjaltit. Në mënyrë tipike, ushqimet me sheqer të lartë mund të rrisin mundësitë e zhvillimit të sëmundjeve të zemrës dhe diabetit. Megjithatë, jo të gjitha ushqimet me sheqer dhe karbohidratet janë të barabarta.
Për studiuesit këto rezultate janë befasuese sepse mjalti është rreth 80 % sheqer, por ai është gjithashtu një përbërje komplekse e sheqernave të zakonshme dhe atyre të rralla, proteinave, acideve organike dhe komponimeve të tjera bioaktive që me shumë gjasa kanë përfitime shëndetësore.
Deri më tani është vërtetuar se mjalti përmirëson ndjeshmërinë ndaj insulinës dhe normalizon nivelet e glukozës pavarësisht se përmban karbohidrate. E rëndësishme është të theksohet se gjetjet e studimit sugjeruan se mjalti mund të përmirësojë shëndetin metabolik dhe të ulë inflamacionin vetëm nëse e konsumoni në moderim së bashku me një regjim të shëndetshëm ushqimor.
Ky studim i ri nga Universiteti i Torontos zbuloi se konsumimi i rreth 2 lugëve gjelle mjaltë në ditë në kombinim me një regjim ushqimor të shëndetshëm, mund të ndihmojë në uljen e inflamacionit dhe në përmirësimin e niveleve të kolesterolit. Për më tepër, përfitimet shëndetësore të mjaltit varen nga përpunimi i tij dhe burimi i luleve.
Pavarësisht nga cilësia dhe burimi i mjaltit tuaj, mbikonsumi mund të përbëjë rreziqe për shëndetin, prandaj mënyra më e sigurtë mbetet konsumi në moderim. /AgroWeb.org