“Nuk kemi asnjë mundësi”: Viktimat e dhunës në Kukës mbeten pa përkrahje
Më 7 qershor 2023, një mësuese nga Tropoja u përball me bashkëshortin në oborrin e shkollës ku jepte mësim. Bashkëshorti, i cili po ashtu është nëpunës publik, e sulmoi atë në sy të kolegëve dhe i mori telefonin kur ajo tentoi të merrte policinë.
Gruaja ishte pajisur me urdhër mbrojtje dy javë më herët, pas një incidenti të mëparshëm dhune, por kjo nuk e ka ndaluar dhunuesin.
“Edhe pas lëshimit të urdhrit të mbrojtjes jam kërcënuar dhe poshtëruar nga bashkëshorti, por nuk kam bërë kallëzim për hir të fëmijëve,” citohet ajo në vendimin e gjykatës që shqyrtoi rastin e saj. Bashkëshorti dhunues u dënua me 1 vit burg, për dhunën në familje dhe për kundërshtimin e vendimit të gjykatës. Gruaja është tani në proces divorci dhe Zyra Arsimore lokale ka ndihmuar ta transferojë atë në një shkollë tjetër.
Por shumë prej grave të dhunuara në këtë qark nuk gjejnë ndihmën e kërkuar dhe mjaft prej tyre vijojnë të qëndrojnë me dhunuesit.
Vitin e shkuar, në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Kukës janë paraqitur 24 kërkesa për Urdhër Mbojtjeje, por vetëm në tetë prej tyre palët kanë kërkuar zgjidhje martese.
Ndërsa bashkia e Kukësit ofron një ndihmë minimale dhe strehim deri në 48 orë për gratë e dhunuara, në dy bashkitë e tjera ndihma është zero. Në Tropojë nuk ka as koordinatore për rastet e dhunës, ndërsa koordinatorja e bashkisë së Hasit i tha BIRN se kishte më pak se një javë që kishte filluar punën.
“Vijnë gra të dhunuara dhe ankohen në bashki dhe ne nuk kemi asnjë mundësi zgjidhje,” thotë Shkurte Gjoka, përgjegjësen e Sektorit të Ndihmës Ekonomike dhe Mbrotjes Sociale në Bashkinë e Tropojës.
Rrethi vicioz
Bashkia e Kukësit me rreth 48 mijë banorë sipas Censusit të vitit 2011 numëron 144 raste të asistuara të viktimave të dhunës në familje që prej vitit 2018. Në bashkinë e Tropojës referohen vetëm ato raste të grave që shkojnë për të marrë ndihmë ekonomike, pasi janë pajisur me urdhër mbrojtje.
“Në Bashkinë Tropojë gjatë këtyre viteve janë të referuara pranë zyrës së Ndihmës Ekonomike dhe Mbrojtjes Sociale afërsisht 10-15 raste të dhunës në familje,” tha në përgjigje të kërkesës së “BIRN” Ornela Osmanaj e Njësisë për Mbrojten e Fëmijëve dhe Barazisë Gjinore në Bashkinë e Tropojës. Në Has nuk ka një statistikë mbi numrin e grave të dhunuara.
Gjatë vitit të kaluar, në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Kukës janë paraqitur 24 kërkesa për urdhër të menjëhershëm mbrojtjeje dhe urdhër mbrojtjeje. Sipas të dhënave të marra nga gjykata, vetëm ndaj 5 personave të akuzuar për dhunë gjatë këtij viti është regjistruar procedim penal.
Edhe ato pak çështje që shkojnë në gjyq, përfundojnë në mjaft raste si motive për dhunë të shtuar mbi viktimat. Këto të fundit para gjykatës përpiqen që t’i lehtësojnë dhunuesit nga përgjegjësitë penale dhe madje vetëfajësohen.
“Me bashkëshortin kam komunikim çdo ditë, marëdhëniet tona janë normalizuar, duket i qetë, kam folur në telefon dhe skype. Uljet dhe ngritjet që kemi pasur në raportin tonë janë ndikuar edhe nga ana ime,” regjistrohet të ketë thënë njëra prej viktimave në procesin gjyqësor.
Për avokatët që ndjekin këto çështje në gjykatë, mbrojtja e burrave dhunues nga bashkeshortet është diçka e zakonshme.
“Kështu ndodh në të shumtën e rasteve, ku bashkëshortet pasi denoncojnë burrat, kërkojnë që t’i mbrojnë ata me shpresë që do të ndryshojnë, apo nga presioni i të afërmve, mentalitetit etj. Të njëjtën gjë bëjnë edhe ato që e kanë vendosur të divorcohen,” thotë Ilir Nerguti, avokat në Kukës.
Rasti i mësueses megjithatë konsiderohet i sukseshëm, sa kohë ajo bashkë me fëmijët është larguar nga shtëpia e dhunuesit dhe po ashtu është transferuar në një punë të re që i ofron njëfarë mbrojtjeje. Por në shumicën e rasteve, viktimat e dhunës nuk e kanë këtë mundësi. Ato nuk kanë punë dhe nuk gjejnë strehim, duke u shtrënguar të jetojnë me dhunuesit.
“Kemi rastin e një gruaje me 7 fëmijë që megjithëse dhunohet sistematikisht nuk pranon të divorcohet për shkak të problemeve financiare, por edhe për hir të mentalitetit,” thotë për “BIRN” Lirie Gjana, koordinatore Vendore Kundër Dhunës në Familje në Bashkinë Kukës.
Jashtë vëmendjes
Legjislacioni shqiptar parashikon mbrojtje dhe mbështetje financiare për gratë e dhunuara, por mundësitë e pushtetit lokal janë minimale.
Lirie Gjana, koordinatore Vendore Kundër Dhunës në Familje në Bashkinë Kukës, i tha BIRN se ata kishin siguruar vetëm 1.6 milionë lekë për vitin 2024 – shumë e cila do të shërbejë për të mbajtur hapur strehëzën e emergjencës në këtë bashki.
“Kemi aplikuar për mbajtjen e strehëzës së emergjencës për gratë që vijnë nga zonat rurale pasi paraqiten në polici të cilat i asistojmë në këtë strehëz deri në 48 orë, në ndonjë rast edhe 72 orë”, thotë Gjana.
Bashkia e pranon që mundësitë për t’u ardhur realisht në ndihmë grave të dhunuara janë minimale. Sipas Gjanës, punësimi dhe strehimi i viktimave të dhunës për një kohë më të gjatë se emergjenca është pa zgjidhje.
“Viktimat e dhunës regjistrohen te zyra e punës. Megjithëse kanë prioritet në punësim, atyre u ofrohen punë të papërshtatshme”, thotë ajo. Sipas Gjanës, problemet e strehimit vështirësohen prej sistemit të pikëzimit që aplikohet, pasi viktimat shpesh nuk i marrin pikët që u duhen.
Megjithatë situata në Kukës është ku e ku më mirë se në dy bashkitë e tjera të qarkut. Në bashkinë e Tropojës mungon koordinatorja Vendore Kundër Dhunës në Familje dhe nuk ka as staf ndihmës për këtë punë.
“Nuk kemi staf për gratë e dhunuara. Kemi pasë 2-3 raste të dhunës ekstreme në familje. Nuk ka një panoramë të plotë për dhunën ne familje, pasi nuk ka vlerësim. Ne si bashki nuk kemi në strukturë një Koordinator/e Vendor Kundër Dhunës në Familje, por e mbulojmë me specialist të sektorit”, deklaron për “BIRN” Shkurte Gjoka, përgjegjëse e Sektorit të Ndihmës Ekonomike dhe Mbrotjes Sociale në Bashkinë e Tropojës.
Gjoka thotë se në bashkinë e Tropojës nuk ka qendër sociale apo komunitare për gratë e dhunuara, nderkohë që edhe fondet për këtë shqetësim janë zero. “Kemi disa plane sociale të miratuar në Këshillin e Bashkisë, por që nuk janë realizuar”, thotë Gjoka.
Ajo thotë se mungesa e një strehimi të përkohshëm për gratë e dhunuara në Tropojë e ka vënë shpesh në pozitë të vështirë. “Më merr në orët e vona të natës shefi i komisariatit pasi është paraqitur viktima e dhunës dhe unë nuk kam ku e strehoj. Në shumë raste i kam strehuar në hotel, duke paguar lekë nga xhepi im,” thotë Gjoka, që shton se në bashki do duhej të kishte një fond të veçantë për këtë ndihmë, por që nuk është parashikuar.
Në bashkinë e Hasit, ndryshimi i drejtimit të bashkisë ka ndryshuar edhe koordinatoren Vendore Kundër Dhunës në Familje.
“Kam vetëm një javë që kam marrë detyrën dhe ende nuk jam njohur me shifrat”, tha për BIRN Ristana Bajraktari, koordinatore Vendore Kundër Dhunës në Familje në bashkinë e Hasit. Edhe në këtë bashki fondet për viktimat e dhunës janë zero. “Për vitin 2024 fondet për viktimat e dhunës në familje janë zero. Do të ishte mirë që të planifikonim, por nuk janë mundësitë,” tha për “BIRN” Seit Meshi, drejtor i financës në bashkinë e Hasit.
Vakuumi i krijuar nga bashkitë në qarkun e Kukësit nuk mbulohet as nga OJF-të. “Një shoqatë që ndihmonte sadopak gratë e dhunuara në Tropojë është tërhequr ka dy vjet”, thotë Shurte Gjoka. Ajo thotë se organizatat nuk vijnë në zonat rurale dhe shpesh kur vijnë “janë sa për fasadë”.