Thu, Nov 28, 2024

Samiti për Ukrainën në Tiranë, Zelensky takim me Ramën

  • PublishedFebruary 28, 2024

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky nisi sot vizitën e tij në Tiranë, me një takim me kryeministrin shqiptar Edi Rama, Së bashku ata patën një bisedë kokë më kokë, për të vijuar më pas me takimin mes delegacioneve të të dy vendeve. Në kryeministri Rama dhe presidenti Zelensky, firmosën dhe Traktatin e miqësisë dhe bashkëpunimit mes dy vendeve.

Takimi i paraprin samitit “Ukrainë – Europa Juglindore”, i organizuar nga qeveria shqiptare në bashkëpunim me Kievin. “Ne do të diskutojmë rrugën tonë të përbashkët drejt qëllimit euroatlantik. Unë do të propozoj mbështetjen e përpjekjeve të Ukrainës për të arritur paqen e drejtë dhe të qëndrueshme, si dhe organizimin e Samitit Global të Paqes në Zvicër”, shkruajti në një postim në rrjetin social X, presidenti Zelensky.

Për kryeministrin shqiptar Edi Rama samiti i sotëm do të jetë “një takim solidariteti e angazhimi të mëtejshëm i demokracive tona kundër agresionit rus”, shkruajti zoti Rama në Facebook, duke shprehur krenarinë që vendi i tij “sot mikpret në samitin e Europës-Juglindore, liderin e rezistencës heroike ukrainase, presidentin Zelensky”.

Nga ana e tij presidenti ukrainas e cilësoi kryeministrin shqiptar “një mik të palëkundur të Ukrainës”, me të cilin “do të diskutojmë bashkëpunimin në mbrojtje dhe politik, mbështetjen për Formulën e Paqes dhe marrëveshjet e sigurisë. Shqipëria është një nga vendet që ka nënshkruar Deklaratën e Vilniusit të G7, të cilën ne e vlerësojmë shumë”.

Më herët, u zhvillua dhe një takim mes ministrave të jashtë të të dy vendeve. “Shqipëria mbështet Planin me 10 Pika të Presidentit Zelensky, si mundësia më realiste për t’i dhënë fund luftës dhe arritjen e një paqeje të qëndrueshme. Së bashku me aktorë dhe vende të tjera, kemi marrë tashmë angazhimin për bashkëpunim në realizimin e Pikës 5 që ka të bëjë me “Rivendosjen e tërësisë territoriale dhe sovranitetit të Ukrainës”, si një nga objektivat më imediatë të përfundimit të luftës”, deklaroi pas takimit ministri shqiptar Igli Hasani.

Shqipëria është ndër vendet e para që mbështeti pa rezerva Ukrainën si dhe u angazhua për të kontribuar drejtpërsëdrejti me ndihma. Ministri Hasani tha se edhe gjatë takimit të sotëm “kemi folur për ndihmën ekonomike e financiare që Shqipëria mund të ofrojë për përballimin e situatës në Ukrainë, por edhe për rindërtimin e saj, që shpresojmë të ndodhë sa më parë, pa asnjë vonesë”.

Brenda muajve të ardhshëm, siç njoftoi ministri i Jashtëm shqiptar, pritet të hapet në Kiev dhe ambasada e Shqipërisë. “Jemi në fazën e përgatitjeve teknike”, shpjegoi zoti Hasani.

Nga ana e tij shefi i diplomacisë ukrainase Dmytro Kuleba falenderoi Shqipërinë për mbështetjen e ofruar në shumë drejtime, duke u ndalur veçanërisht në rolin e saj gjatë mandatit dy vjeçare si anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Shqipëria po ashtu vlerësohet nga Kievi dhe si një anëtare e Nato-s, ku Ukraina kërkon të bëhet anëtare. “Pritshmëritë tona janë që me të tjerash, një prej rezultateve të samitit të Uashingtonit të jetë një hap më përpara drejt anëtarësimit të Ukrainës, që më në fund, do ta bëjë këtë pjesë të Europës, më të sigurt”, u shpreh ministri Kuleba.

* Materiali në përditësim