Teixeira, i dyshuar për publikimin e dokumenteve sekrete, pritet të pranojë fajësinë
Jack Teixeira, anëtar i Gardës Ajrore Kombëtare në Masaçusets, i akuzuar për publikimin e informacioneve ushtarake shumë të klasifikuara në një platformë të mediave sociale, pritet të pranojë fajësinë në gjykatën federale, sipas dokumenteve gjyqësore të paraqitura të enjten.
Prokurorët i kërkuan gjykatësit që të caktojë ndryshimin e seancës për pranimin e fajësisë, por nuk kanë ofruar detaje të tjera. Gjykatësi caktoi mbajtjen e seancës në gjykatën federale të Bostonit të hënën.
I pandehuri Teixeira kishte deklaruar më parë se ishte i pafajshëm lidhur me gjashtë akuza për përvetësim dhe publikim të qëllimshëm të informacioneve të mbrojtjes kombëtare. Secila akuzë kërkon dënim me burg deri në 10 vjet.
Zyra e prokurorit të shtetit Masaçusets nuk pranoi të komentonte. Një avokat për zotin Teixeira nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment.
Zoti Teixeira, nga North Dighton i shtetit Masaçusets, ndodhet pas hekurave që nga arrestimi i tij në prill. Rrjedhja e informacioneve sekrete bëri që administrata amerikane të përpiqet të vlerësojë dëmin e shkaktuar dhe të sigurojë aleatët se sekretet që ata ndajnë me Shtetet e Bashkuara janë të sigurta.
Ndaj tij janë ngritur akuzua për publikimin në rrjetin Discord të dokumenteve të klasifikuara ushtarake në lidhje me luftën e Rusisë në Ukrainë dhe tema të tjera të ndjeshme të sigurisë kombëtare.
Hetuesit besojnë se ai drejtonte një kanal privat bisedash të quajtur “Thug Shaker Central”, ku përdoruesit e rrjetit Discord ndajnë shaka, flasin për llojet e armëve të preferuara dhe luftërat, përfshirë agresionin rus në Ukrainë.
Autoritetet thonë se zoti Teixeira, i cili u bë pjesë e Gardës Ajrore Kombëtare në vitin 2019, filloi në janar të vitit 2023 të ndante sekrete ushtarake me përdorues të tjerë të rrjetit Discord.
I pandehuri Teixeira kishte detyrën e “specialistit të sistemeve të komunikimit kibernetik”, në thelb një specialist i IT-së përgjegjës për rrjetet e komunikimit ushtarak.