Tue, Nov 26, 2024

Avaria në procesin e prerjes së hekurit shkaktoi shpërthimin në magazinë/ Hetimet për ngjarjen, objekti kishte tejkaluar lejen…

  • PublishedMarch 4, 2024

Shpërthimi në magazinën në Lushnjë është shkaktuar nga një avari që ka ndodhur gjatë procesit të punës që kryente viktima Roland Hoxha për prerjen dhe çmontimin e disa profileve të hekurit, duke përdorur flakën me nxehtësi të lartë që prodhohet nga djegia dhe përzierja e oksigjenit me Acetilenin.

Nga hetimet e kryera dhe nga konkluzionet paraprake të ekspertëve dyshohet se kjo avari ka bërë që një nga bombolat, e cila mund të ketë qenë më përmbajtje gazi acetilen, ka shpërthyer duke shakktuar dhe dëmet me pasojë humbjen e jetës së dy shtetasve, plagosjen e shtatë të tjerëve dhe dëmtimin e objektit, banesave dhe bizneseve përreth.

Nisur nga hetimet paraprake të kryera nën drejtimin e Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Jurdiksionit të Përgjithshëm Fier, ka rezultuar se për objektin ku ka ndodhur shpërthimi, nga Bashkia Lushnjë, në muajin shtator 2023 është miratuar leja ndërtimore për objekt 1 kat për tregtimin dhe magazinimin e materialeve te ndryshme, në emër te shtetasit Bujar Çela me afat 1-vjeçar, por që pas aktit të konstatimit të datës 02.03.2024 nga Inspektoriati Vendor i Mbrojtjes së Territorit, ka rezultuar se subjekti që ka kryer punimet në objekt, ka tejkaluar lejen e ndërtimit të dhënë nga Bashkia Lushnjë.

Sipas Policisë, rezulton se jemi para veprave penale të Shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë, Shkatërrim i pronës nga pakujdesia dhe ndërtimit të paligjshëm.


AlbaniaWeb.net