Tue, Nov 26, 2024

Fredi Beleri shpallet fajtor për blerje votash! Kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës dënohet me dy vite heqje lirie

  • PublishedMarch 5, 2024

Kryebashkiaku i zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri u shpall fajtor për blerje votash dhe u dënua me dy vite heqje lirie nga Prokuroria e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Beleri lexoi deklaratën para shpalljes së vendimit, ku u shpreh se ky hetim është politik.

“Prokurori kërciste stilolapsin në tavolinë gjatë gjyqit, ky është presion. Ky hetim dhe këto akuza janë sajesa qesharake.

Këto konkluzione nuk mund të merren parasysh, dosja nuk ka fakte ndaj nuk kam kërkuar gjykim të shkurtuar. Të gjitha gjetjet e Prokurorisë kundërshtohen nga avokatët e mi. Herët a vonë, e vërteta do dalë një ditë. Jam përgjuar 24 orë në ditë, provat nuk përputhen. Në të njëjtën kohë që thuhet se Arseni ka folur me mua, ai ishte në komisariatin e Vlorës. Prokuroria duhet të verifikonte faktet. Gjykata e Apelit pranoi të gjitha kërkesat e prokurorisë dhe asnjë kërkesë timen. Një ndër to t’i kërkonte informacion gjykatës së Vlorës. Kjo është një çështje politike, me mua u shkelën të gjitha parimet edhe prezumimi i pafajësisë. U tejkaluan kompetencat. Kërkesa e prokurorisë për 2.6 vjet burg nuk ka asnjë logjikë.

Për dy kryetarë bashkie ka kërkuar shërbim prove. Sa herë të ketë zgjedhje rezultati do jetë i njëjtë, himarjotët nuk janë budallenj. Është e padrejtë që kësaj çështjeje t’i jepet kuptim patriotik. Jam besimplotë nuk e ndjej veten fajtor. Herët a vonë do gjej drejtësi. Sot duhet t’i thoni jo presionit të pushtetit, të tjerët janë kalimtarë dhe besnikë të partisë. Dy prokurorët do t’i gjykojë historia”.

Deklarata e plotë e Belerit në gjykatë

Në GJKKO-s, ndodhet Beleri dhe avokati i tij, shoqëruar edhe nga mbështetës. Seancën po e ndjek dhe një përfaqësues nga ambasada greke.

Për Belerin, Prokuroria e Posaçme kërkoi dënimin me 2 vite e 6 muaj burg. Ndërsa për të pandehurin tjetër, Fredi Kokaveshi, bashkëpunëtor i Belerit, SPAK kërkoi dy vite burgim, të cilat i konvertohen në 4 vite shërbim prove. Kjo masë lehtësuese për Kokaveshin u dha pasi ai ka probleme shëndetësore, si dhe fëmija i tij i mitur ka probleme shëndetësore.

Beleri, i cili garonte nën siglën e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, u arrestua dy ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit, pasi u kap në flagrancë duke blerë votat.


AlbaniaWeb.net