VIDEO/ Mrekulli e Kukësit, verilindorët në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë, Partizani bie keq
Kukësi është kualifikuar për në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë, pasi eliminoi Partizanin. Ndeshja e parë për kryeqytetasit ishte mbyllur 1-0 në favor të tyre, ndërsa sot në “Arenën e Demave” Kukësi triumfoi 1-0. Për të përcaktuar fituesin u deshën penalltitë.
Të kuqtë ngacmuan portën kuksiane në minutën e 16-të. Ishte Mehmeti që provoi, por e menjëhershme përgjigja e portierit Tafas.
Për të ardhur te goli i verilindorëve, në të 21-tën, e majta perfekte e Hasajt përfundoi në rrjetë. Me avantazhin në xhep, të besuarit e Bledar Devollit u kujdesën më shumë për mbrojtjen.
Në minutën e 34-të u shfaq Cara, por ky i fundit nuk ia doli dot të vendosë ekuilibrat. Pjesa e dytë filloi me shumë dëshirë për ekipin e Shehit, me skuadrën që u përpoq që t’i ndryshonte rrjedhën sfidës. Në të 47-tën, Taipi tentoi nga goditja e dënimit, pa rezultat.
Partizani shtoi ndjeshëm presionin, duke zhvendosur kundërshtarin tërësisht në gjysmëfushën e vet dhe duke i shndërruar kështu minutat e fundit në mjaft emocionuese.
Koha e rregullt përfundoi me shifrat 0-1, ndërsa skuadrat iu drejtuan shtesës. Edhe në 30 minutat e tjera, u luajt e njëjta melodi, me Partizanin që nuk kishte saktësinë e duhur për të ndëshkuar rivalin.
Nga pika e bardhë e penalltisë Kukësi u tregua më i saktë, duke marrë kështu kualifikimin. Te ekipi nga kryeqyteti paguajnë shtrenjtë gabimin e Atanaskoskit, i cili nga 11-metra gaboi të dërgojë topin pas shpinës së portierit.
(J.S/)